Zemaj thotë që nuk ka datë se kur do të lejohen dasmat dhe ahengjet

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është takuar sot me përfaqësues nga estrada dhe hoteleria, të cilët protestuan me kërkesën për lejimin e dasmave dhe të ahengjeve.

Në një konferencë për medie, ku është prezantuar manuali për mbrojtje nga COVID-19, Zemaj nuk ka dhënë datë se kur mund të lejohen dasmat dhe ahengjet e tjera, raporton “Zeri.info”.

I pyetur nëse është marrë vesh me protestuesit për ndonjë datë të caktuar se kur mund të lejohen këto veprimtari, Zemaj tha se institucionet po punojnë për lehtësim të masave, pa dhënë ndonjë datë të caktuar.

“Dua të jem i përgjegjshëm para atyre që i takova, para qytetarëve të Kosovës, nuk jam ithtar i ditëve dhe datave. Ne po punojmë në vazhdimësi që të ketë lehtësime, por të ruajmë menaxhimin e situatës, sepse numri është në rritje edhe dje, edhe sot, sipas analizave mund të jetë edhe pasnesër”, tha Zemaj. /Zëri