Kosova, vendi i parë në Evropë që nuk shtyp më gazeta

Nëpër kioska të dyqaneve në Kosovë më nuk do të mundë të gjeni gazeta të shtypura. Teknologjia dhe rritja enorme e numrit të medieve online ka bërë që Kosova të mbetet pa një prej formave tradicionale të gazetarisë.

Të gjitha gazetat të cilat janë shtypur në vend, si “Kosova Sot”, “Zëri”, “Koha Ditore”, “Epoka e Re” e të tjera, tashmë kanë mbetur vetëm në versionin e tyre online (portale), duke e bërë Kosovën me gjasë vendin e parë në Evropë ku nuk printohen më gazeta.

Përjashtim bëjnë “Koha Ditore” dhe “Epoka e Re”, të cilat ende u japin mundësi lexuesve që të gjejnë versionin online të gazetave. Nuk dihet nëse këto dy mediume do të vazhdojnë edhe pas pandemisë që të shpërndajnë versionin e shtypur të gazetave.

Atyre që e kanë pasur gazetën si pjesë të ritit të kafesë së mëngjesit tashmë do t’u duhet ta zëvendësojnë atë me një smart-phone, i cili të krijon mundësi shumë më të mëdha për të marrë informacione edhe në kohë reale për ngjarjet që ndodhin në vend, rajon e botë.

Gazeta “Express” ka qenë mediumi i parë në vend që ka ndaluar së botuari gazetën në mënyrë të shtypur dhe që ka kaluar në versionin online. Nga një gazetë e shtypur “Express”-i kishte kaluar në versionin e mediumit online më 22 mars 2013.

Derisa në vendet e rajonit situata nuk është e njëjtë. Në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ende vazhdon shitja e gazetave në formë të shtypur.