Futbollisti shqiptar i Maqedonisë së Veriut ka një kërkesë për ndeshjen me Kosovën
Futbollisti shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu, kërkon që sfida e rëndësishme për “play-off” të Evropianit, Maqedoni e Veriut – Kosovë, të luhet me tifozë, pavarësisht se FIFA dhe UEFA kanë urdhëruar zhvillimin e ndeshjeve me dyer të mbyllura për shkak të koronavirusit.
Në një intervistë për medien “Shenja” mbrojtësi i Fehervarit thekson se si Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë prekur po njësoj nga koronavirusi.
Ai uron që sfidën ta fitojë ekipi më i mirë.
“Do të jetë një përballje me mundësi 50-50, sepse luhet vetëm një ndeshje. Një avantazh të vogël mund ta kemi, pasi luajmë në Shkup, në terrenin tonë. Në këto ndeshje nuk ka favorit. Shpresoj që të luhet me tifozë dhe le të fitojë më i miri. Edhe ne na ka bërë dëm shtyrja e ndeshjes, njësoj si edhe Kosovës dhe të gjitha përfaqësueseve. Këtë nuk e shoh si avantazh ose disavantazh, sepse ka të bëjë me lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Për një ndeshje besoj që mund të përgatitesh për një muaj dhe normalisht nuk shoh ndonjë diferencë”, u shpreh futbollisti i Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu.