Arbëria e feston suksesin historik

Klubi i promovuar në elitën e futbollit kosovar, Arbëria nga Lipjani, do ta shijojë për herë të parë Superligën e Kosovës, pasi i është bashkuar elitës së futbollit kosovar.

Kjo skuadër tashmë ka planifikuar të organizojë edhe një festë për të gjithë tifozët e tyre, për të festuar inkuadrimin në Superligë dhe këtë sukses historik të klubit.

Ditë më parë kjo skuadër përmes njoftimit kishte ftuar tifozët që ahengun ta bëjnë në njërin nga restorantet në Dobrajë.

Por sot klubi i Arbërisë ka ndryshuar vendimin, pasi që ahengjet janë të ndaluara nga Qeveria e Kosovës si shkak i pandemisë koronavirus.

Ahengu pritet të mbahet në fushën e futbollit “Arbëria”, pra nuk ndryshon asgjë, përveç lokacionit.

Njoftimi i plotë i klubit:

Kryesia KF “Arbëria” në bashkëpunim me donatoret e klubit, në mbledhjen e mbajtur sollën këtë vendim:

1. Ahengu i paraparë të mbahet në “Restaurant Dielli” është përcaktuar të mbahet në fushën e futbollit “Arbëria”, me dt. 06.06.2020, ditë e shtune, ora 19:00. Pra nuk ka ndryshuar asgjë nga njoftimi paraprak, përveç lokacionit, i cili do të jetë ambient i jashtëm!

2. Ky vendim është bazuar në arsyeshmërinë e numrit të madh të pjesëmarrësve. Pra ndryshimi i lokacionit është bazuar në masivitetin e festës, numrin e madh të njerëzve të cilët do t’i bashkangjiten festës, këta janë njerëzit e mirë e të sinqertë, njerëz të cilët mbështetën dhe respektuan KF Arbëria si një klub i cili na bashkoi dhe do të na bashkon edhe tutje në numër të madh për të vazhduar traditën e futbollit siç njihemi me nofkën “Brazili i Kosovës”, mbi gjitha për të treguar kulturën se si mbështetet skuadra nga Dobraja!

3. Ju bëjmë thirrje të gjithëve të jeni të pranishëm në festë, duke ju lutur të mos mungoni për të krijuar një festë madhështore, e cila do të mbetet përherë një kujtim i ëmbël për një familje të madhe siç është Arbëria!

4. Kryesia në bashkëpunim me donatoret dhe njerëzit e mirë po përkujdeset që organizimi të bëhet në nivelin më të mirë të mundur, duke krijuar një modesti të pastër për të gjithë dhe duke i bërë thirrje të gjithëve në pjesëmarrje nga gjeneratat e arta të KF Përparimi, gjeneratat e arta të KF Arbëria nga funksionimi i klubit deri me tani dhe deri te tifozeria “Stuhia e Kuqe”.

5. Për shkak të puneve teknike dhe menaxhimit të tyre, ftesat zyrtare janë menjanuar. Dyert janë të hapura për të gjithë. Bashkangjituni në ahengun, i cili mban emrin “Historia e suksesit të KF Arbëria, inkuadrimi për herë të parë në Superligen e Kosovës”.