Sot ra përfundimisht rrena prej 8.200 ha
Shkruajnë: Dr. Hivzi Islami, Dr. Tomor Çela & Dr. Qerim Kastrati
Agresiviteti makiavelist!
Nga fillimi i vitit 2015 e deri më 21 mars 2018, kur u miratua Marrëveshja ndërkombëtare për demarkacioin me Malin e Zi (me 80 vota), pa e hequr asnjë presje, u zhvillua një diskurs shterp, pa asnjë argument, në luftë për pushtet të disa grupacioneve politike të opozitës. Këtë agjendë e ndihmuan edhe disa deputetë të pozitës së mëparshme. Opozita e atëhershme (AAK, LVV, NISMA) nuk e kishte shumicën për ta penguar miratimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, por falanga e LDK-së me afër gjysmën nga 30 deputetë gjithsej dhe 2 nga gjithsej 37 deputetë të PDK-së si pozitë përfundimisht e bllokuan Marrëveshjen dhe Kosova mbeti e izoluar për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në hapësirën e BE-së. Kjo falangë, me V. Osmanin në krye, atëherë ndiqte një rrugë krejtësisht irracionale, në kundërshtim të plotë me qëndrimet e subjektit që i përkiste, të kryetarit të tij, që ishte njëherit edhe kryetar i Qeverisë, por edhe të faktorit ndërkombëtar euroatlantik dhe interesit të Kosovës. Votat e kësaj falange të LDK-së ishin vendimtare për dështimin e Marrëveshjes, për rrëzimin e Qeverisë Mustafa dhe rrjedhimisht për mosliberalizimin e vizave!
Jetën politike dhe parlamentare opozita e atëhershme e shndërroi në një cirk dhe arenë gladiatorësh, ndërsa opinionin shqiptar e ndau në “patriotë” dhe “tradhtarë“ ( !), duke i keqpërdorur edhe emocionet e njerëzve, ngase territori është edhe çështje emocionale. Komponenti i posesizmit moral (i kemi varrezat andej kufirit, kemi bërë lufta për kufi, krejt andej janë shqiptarë!) nuk zgjidhë asgjë, përveç që ndezë emocionet e njerëzve! Opozita ushtroi dhunë të pashembullt kundër institucioneve të vendit, duke i përdorur vezët, gazin lotsjellës, sprejin, zjarrin, gurët, tullat, shishet e ujit dhe shishet e molotovit, etj. Kundër institucioneve të shtetit mbetën pa u hedhur vetëm ”Napalm-bombat”! Me veprimet e saj u izolua vendi dhe u krijua imazh i keq në botë. Kryetari i atëhershëm (anëtar i kreut të VV-së) dhe i sotëm i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, gëzohej, dilte dhe shikonte a po digjej mirë qyteti, diçka që nuk ka ndodhur në rruzullin tokësor! Fatkeqësisht, edhe një pjesë e medieve dhe e shoqërisë civile në përgjithësi ishte rreshtuar në anën e së keqes!
A ka mëkat më të madh që në emër të mbrojtjes së interesave shtetërore ta përdhosin shtetin dhe qytetarët e tij t’i lënë të izoluar?! Anash hilet e BE-së, që shkojnë deri në racizëm, faji kryesor është i brendshëm. Gënjejnë, mashtrojnë, zhvatin, djegin, shkatërrojnë dhe në fund përsëri në emër të “interesit shtetëror” e lëpijnë atë që e kishin pështirë me vite, duke e votuar të njëjtin dokument pa ia hequr asnjë shkronjë. Si mbulesë i kishin nga fillimi gënjeshtrat e dy diletantëve, F. Isufi dhe Sh. Bulliqi, që e lëshuan rrenën se Kosova po humb 8.200 ha (!), ndërsa Kryeministri në luftë për pushtet, i futi në agjendën e vet. Në fund, “hauz-eksperti” Isufi e braktisi Komisionin e Kryeministrit, ndërsa “Kallakunxhi” tjetër e braktisi edhe partinë për të gjetur strehë dhe mbrojtje në një parti tjetër dhe po vazhdon të gënjejë kinse po punon për kufirin Kosovë-Serbi, madje edhe për kufirin Kosovë-Maqedoni si proces tashmë i përmbyllur! Komisioni në krye me këta mashtrues, që mori qindra mijëra euro nga Qeveria Haradinaj, kurrë nuk i prezantoi në harta sipërfaqet e humbura në hektarë dhe metra në zonat dhe sektorët e caktuar në kufi me Malin e Zi, siç i prezantoi Komisioni Shtetëror për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës (KSHMTRK) sipërfaqet e humbura me Maqedoninë konform kërkesave të faktorit ndërkombëtar (Plani i Ahtisarit) deri në hektarë e metra katrorë. Kosova në raport me Maqedoninë rezultoi të kishte bilanc të përgjithshëm negativ prej 191 ha ose 1.91 km² (komunat kadastrale Debëllde dhe Restelicë minus, ndërsa Dimce plus), ndërkaq me Malin e Zi nuk humbej asnjë hektar e metër katror. KSHMTRK bëri matjen e territorit të vendit të vet, ndërsa “ekspertët“ e ish-Kryeministrit bënë matjen e “arave“ të huaja (të Malit të Zi)! Mali i Zi nga 1945 e deri më sot ka të njëjtën sipërfaqe: 13.812 km², të referuar në ish-Entin Federativ të Statistikës deri më 2006 dhe pas pavarësisë (2006) edhe në EUROSTAT dhe në OKB.
Ambasadori amerikan G. Delawie, në bazë të gjetjeve profesionale të State Departamentit, të mbështetura në rezultatet e analizave të materialeve përkatëse nga viti 1940 deri më sot, disa herë kishte theksuar se “8.200 ha janë të rremë”! Konstatimin se vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi është pa ndryshime e nxorën edhe komisionet e tjera, vendore dhe ndërkombëtare (çfarë ishte Komisioni ad hoc i ftuar nga Presidentja Jahjaga, i përbërë nga ekspertët Fletcher M. Burton nga SHBA, Dr. Ing. Herbert Wilmes nga Gjermania dhe Fred Newton nga Anglia). Ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për kufirin në relacion KosovëëMal i Zi e kërkuan edhe presidenti i SHBA-së B. Obama dhe nënkryetari J. Biden, zyrtarët e NATO-s, të BE-së etj. Ta kundërshtosh Amerikën dhe NATO-n, që na çliruan e pavarësuan, është absurd! SHBA na i siguroi edhe njohjet ndërkombëtare në kufijtë ekzistues (10.905 km²), të mbështetur në Kushtetutën e KSAK-së të vitit 1974, në Komisionin e Badinterit (1991-1993), në Planin e Ahtisarit (2007), në Kushtetutën e RK të vitit 2008, në Deklaratën e Pavarësisë 2008, në vendimin e GJND-së (2010) dhe në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të dt. 25 qershor 2015. Por grupet e interesit e kishin objektiv vetëm pushtetin!
Në faqen zyrtare të Qeverisë Mustafa ishte i publikuar Raporti i hollësishëm i KSHMTRK, i përbërë nga gjetjet e 12 përfaqësuesve të organizatave dhe agjencive profesionale, shkencore, menaxheriale dhe të shoqërisë civile, me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të instancave ndërkombëtare në cilësi të vëzhguesve (NATO, BE, SHBA). Aty gjendet gjithë faktografia, në qindra faqe (gjeoinformacioni, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, baza ligjore, faktet shkencore etj., që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës dhe të njësive më të vogla territoriale-administrative). U dëshmua se kufijtë e sotëm të Kosovës shtrihen deri atje sa mund të mbulohen me dokumentacion administrativ, kadastral e menaxherial dhe nga mekanizmat operacionalë në terren nga viti 1945.
Ish-shefi i pseudoekspertëve, Haradinaj, pasi erdhi në krye të Qeverisë, pa hezitim dha urdhrin, duke e caktuar edhe rezultatin: ”Komisioni ka me thënë se kufiri është në Çakorr, në Kullë e në Maje të Larta. Pra keni parasysh, kështu ka me thënë komisioni” (16. 10. 2017). I thënçin komision ”i pavarur profesional-shkencor”, në krye me Bulliqët, i cili nuk pati asfarë kuraje për t’i thënë jo diktatit pushtetor! Ndërkaq, Kryeministri i ri (sot i rrëzuar), Kurti, pas zgjedhjeve të 6.10.2019 dha deklarata shallvaregjera: ”Nuk do të lë guralec pa lëvizur deri në kthimin e 8 mijë e 200 hektarëve që iu dhanë Malit të Zi” (11.11.2019)! Dofarë ”dokërr-raportesh” të gënjeshtarëve (2018) dhe një ”letër-deklaratë” e dy presidentëve (2018), përfshirë edhe tentimin për ta futur njëfarë ”rishikimi” të demarkacionit në programin e Qeverisë Hoti (2020), nuk janë gjë tjetër pos mashtrime të radhës. Me agjenda të rrejshme gjithë jetën duan të mbesin në politikë! Por krejt çka nuk ratifikohet në Parlamentin e Malit të Zi nuk ka asnjë vlerë juridike! Mali i Zi e ka përfunduar punën me ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në Parlamentin e tij më 28 dhjetor 2015, të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.
Sipas kundërshtarëve të demarkacionit, vija kufitare duhej ta fuste brenda kornizës territoriale të Kosovës Çakorrin, Zhlebin e Bjelluhën dhe Kosova ta zgjeronte territorin nga 10.905.25 km² në 10.987.25 km²! Por kur erdhën në pushtet, nuk ia kthyen Kosovës hektarët ”e humbur”?! Të gjithë e dinin, nga popullata vendore e rripit kufitar me Malin e Zi, pushteti lokal dhe pushteti qendror e grupet politike sentencën e moçme se ”Shelgu nuk bën rrush”! Në mars 2009 kryefamiljarët e rripit kufitar, me nënshkrimet e tyre, kërkonin leje nga autoritetet e komunave të Malit të Zi që t’i shfrytëzonin pronat e tyre të ligjshme (kullosat, stanet dhe bjeshkët), të cilat tash e shtatë dekada e gjysmë gjenden në territorin e këtij shteti dhe atje i kanë paguar dhe taksat. Për këtë kryefamiljarët i kanë vënë në dijeni edhe strukturat pushtetore të Republikës së Kosovës, komunat dhe ministritë përkatëse. Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme; liderët partiakë dhe grupet kryengritëse ndoqën rrugën e maksimës së ”babait” të kombit serb (Qosiq): gënje, gënje, gënje me mijëra herë, atëherë gënjeshtra bëhet e vërtetë! ”Ekspertët” thoshin se më të besueshme dhe më kredibile janë hartat e APJ-së të Beogradit sesa të tjerat. Ja një hartë e tillë, shihne ku është ëakorri, Kulla e Zhlebit dhe Bjelluha!
Harta vështruese-topografike 1:500.000 e Institutit Ushtarako-Gjeografik të Beogradit
Ishte i kotë ”urdhri” i një kryeministri që shkoi dhe ”lëvizja e guralecit” nga kryeministri tjetër, i cili pas 50 ditë qeverisjeje u rrëzua në Kuvend! Iku koha! Më 21 mars 2020 u bënë dy vjet nga ratifikimi i Marrëveshjes ndërkombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por për shënimin e vijës kufitare midis dy shteteve mbeti edhe një afat deri më 4 qershor të këtij viti derisa marrëveshja u procedua përmes rrugëve diplomatike. Në përputhje me nenin 4 të Marrëveshjes deri më 4 qershor të vitit 2020 është dashur që trupat punuese të dy vendeve ta përfundonin demarkimin, por komisioni ynë punues as që pati guxim profesional të takohej së paku njëherë me komisionin e Malit të Zi, ndonëse pala malazeze qysh më 9 korrik 2018 i kërkoi Qeverisë së Kosovës që komisionet përkatëse të kufijve të takoheshin dhe të fillonin punën për vënien e gurëve të sionorëve shtetërorë midis Kosovës dhe Malit të Zi (demarkimi) në afatin obligativ ligjor, por Komisioni dhe Qeveria Haradinaj më as që u dëgjuan të gjallë! Nuk bëri zë as Qeveria Kurti dhe kufiri mbeti atje ku ka qenë tash e shtatë dekada e gjysmë! Deri më 4 qershor të këtij viti gjatë demarkimit kishte mundësi bile të ndonjë korrigjimi të vijës së kufirit sipas parimeve profesionale ”metër për metër dhe cilësi për cilësi” (deri 150 m), në rastet e ndonjë rruge apo burimi të ujit në terrenet komplekse gjeohapësinore! Nga pala malazeze gjithnjë ka ekzistuar kjo mundësi dhe gatishmëri, por mjerisht nga ana jonë as kjo nuk është shfrytëzuar dhe prandaj ikën të gjitha afatet e ligjshme dhe gënjeshtra e madhe prej 8.200 ha imagjinarë definitivisht u shua. Fajtorët nga opozita (Haradinaj, Kurti dhe Limaj me grupet e tyre politike) dhe falanga e LDK-së e prirë nga V. Osmani mbajnë përgjegjësi qytetare dhe institucionale për mosliberalizimin e vizave, kurse pseudoekspertët do t’i rëndoj përgjithmonë së paku përgjegjësia profesionale dhe akademike!