Hoti mbledh ministrat, tregon prioritetet e qeverisjes së tij

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka nisur mbledhjen e parë të ekzekutivit, ku fillimisht ai falënderoi stafin mjekësor e atë policor, të cilët janë përballur me shumë sfida gjatë kohës së pandemisë.

“Uroj punë të mbarë për sfidat që na presin neve si qeveri. Falënderim të veçantë për stafin mjekësor, i cili tregoi profesionalizëm të lartë me menaxhimin e pandemisë, policinë, bizneset private, ndërmarrjet publike, shpreh ngushëllime për familjarët e dy minatorëve që humbën jetën në minierën e Artanës”, tha Hoti, raporton “Zeri.info”.

Po ashtu kryeministri tha se prioritet ka rimëkëmbjen ekonomike dhe bashkëpunimin me aleatët e vendit.

“Qeveria e re e ka për obligim t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës së vendit. Do të punojmë bashkë me partitë e koalicionit, si dhe me opozitën, do të punojmë për pandeminë, për rimëkëmbjen ekonomike, do t’i kthehemi punës dhe jo retorikës së përgjithshme, por duke u ofruar punë qytetarëve. Prioritet është edhe forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët tanë, dialogu, shëndetësia për të përballuar pandeminë. Kjo qeveri merr parasysh nevojat që kanë grupet e caktuara në Kosovë. Në këtë drejtim pres bashkëpunimin e ngushtë me opozitën në Kuvend”, deklaroi kryeministri Hoti, raporton “Zeri.info”.