Kurti tregon arsyen e mbledhjes së Qeverisë pak para seancës së Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pak para nisjes për në Qeveri ka thënë se po ndihej shumë mirë derisa po dilte nga banesa e tij. Ai tha se po shkon në mbledhjen e Qeverisë, ku do të merren, sipas tij, disa vendime të rëndësishme.

Kurti ka thënë se në këtë mbledhje do të ndahen nga 30 mijë euro për familjet e dy minatorëve, që humbën jetën dje në minierën e Artanës.

“Shumë mirë, kemi një mbledhje të Qeverisë në orën 10:00, në të cilën do t’i marrim disa vendime të rëndësishme, ku vendimi i parë do të jetë ndihma prej 30 mijë eurove për familjet e dy minatorëve, të cilët fatkeqësisht humbën jetën dje në minierën e Artanës”, ka thënë Kurti pak para nisjes për në Qeveri,raporton EO-ja.