Deklarohet Hoti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

 

Mandatari për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar që askush mos të ndihet i humbur karshi këtij vendimi por të ketë bashkim në të mirë të vendit, përcjell “Zëri”.

“Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar Hoti, raporton Zeri.info.

Ai më tutje ka përmendur se në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në do të jetësohen aspiratat e vendit për integrime euroatlantike.

“Bashkë me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, do të punojmë me përkushtim për jetësimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike”, ka shkruar Hoti.