Qorrolli bën krahasimin me gjendjen aktuale politike me atë të pas dorëheqjes së Haradinajt

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Vigan Qorrolli, ka bërë një krahasim të situatës së tanishme politike me atë të pas dorëheqjes se Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Në një postim në Facebook, Qorrolli thotë se në rastin e dorëheqjes se Haradinajt, presidenti kishte kërkuar mandatarin e ri nga koalicioni PAN, ndërsa kur Kadri Veseli i ishte përgjigjur se nuk kanë emër të ri dhe kërkojnë të shkojnë në zgjedhje, këtë kërkesë e kishte pranuar presidenti, duke mos e kaluar çështjen e mandatarit te partia e dytë më e madhe atë kohë, Vetëvendosja, përcjell "Zeri.info".

Kurse thotë kësaj radhe, ndonëse partia e parë nuk i dha emër të ri për mandatar dhe kërkoi zgjedhje, Thaçi e kaloi çështjen të partia e dytë, LDK-ja.

"Më 2 gusht 2019, disa ditë pasi Kryeministri Ramush Haradinaj kishte dorëheqjen, Presidenti Hashim Thaçi, i kërkon me shkrim kryetarit të koalicionit PAN (fitues i zgjedhjeve të vitit 2017) një emër të ri për Kryeministër. Kadri Veseli, kryetar i koalicionit PAN dhe i PDK, në letrën kthyese e njofton Presidentin e Republikës se nuk ka një emër tjetër për KM — çka nënkupton se ai e refuzon nominimin e koalicionit të tij për një Kryeministër tjetër (të ri). 10 muaj më parë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e v. 2014, Presidenti kërkoi nga koalicioni më i madh në atë kohë të zgjidhte një kandidat të ri. Pasi ky koalicion nuk pranoi, presidenti nuk ndërmori hapa drejt formimit të një qeverie të re. Ai nuk i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje, që ishte partia e dytë në zgjedhjet e 2017, një emër për KM. Veseli në këtë letër propozoi zgjedhje, ashtu u bë, zgjedhjet ndodhën më 6 tetor. Tani partia e parë po kërkon zgjedhje, Presidenti nuk po e dëgjon Albin Kurtin", deklaroi Qorrolli.

Ai shprehet se identiteti kushtetues i Kosovës po injorohet dhe s’po përfillet./ZËRI