Osmani në takim me Stjernvallin, kërkon që dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje reciproke

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, takim në të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut të ardhshëm, si dhe për bashkëpunimin bilateral në mes të dy vendeve.

Osmani, siç bëhet e ditur, e njoftoi Stjernvallin me qëndrimin e saj për një proces të mirëfilltë të dialogut, i cili, sipas saj, duhet të përmbyllet me njohje reciproke, si dhe me parime që respektojnë integritetin territorial të vendit tonë.

Tutje, Osmani ka thënë se kërkon që dialogu të jetë i strukturuar mirë dhe i bazuar në parime të qarta.

“Ne duam normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun, por kërkojmë që ai të jetë i strukturuar mirë dhe i bazuar në parime të qarta. Dialogu duhet ta përfillë kontekstin e raporteve në mes të dy vendeve tona”, ka thënë ajo, raporton “Zeri.info”.

Në anën tjetër, ambasadorja Stjernvall ka shprehur gatishmërinë e Finlandës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

“Ajo shprehu po kështu gatishmërinë e vendit të saj për t’i mbështetur institucionet në përgatitjen për procesin e dialogut. Po ashtu ambasadorja shprehu vullnetin e saj që ta vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Kuvendin e Kosovës”, citohet të ketë thënë ajo. /Zëri