Rrahim Rama kërkon anulimin e vendimit për shkarkimin e tij nga ministrja Haxhiu
Drejtori i Përgjithshëm, tashmë i shkarkuar, i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama, ka bërë ankesë ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pikërisht për shkëputjen e marrëdhënies së tij të punës, transmeton “Zeri.info”.
Rama, në një reagim dërguar mediave, ka thënë se më 18 maj të këtij viti, ka dorëzuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil ankesën e tij ndaj Haxhiut e cila, sipas tij, ka marrë vendim të padrejtë në ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës në AAPKS, raporton Zeri.info.
Sipas Ramës, ankesa e tij ka të bëjë me “vendim politik dhe arbitrar” të Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues, vendim ky, sipas Ramës, i “iniciuar dhe dominuar gjatë tërë kohës nga ministrja e drejtësisë Zonja Albulena Haxhiu, për të shqiptuar ndaj meje masën disiplinore me datën 05 maj 2020 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”.
Ai thotë se në ankesë ka paraqitur “argumentet ligjore e profesionale ndaj masës jo të drejtë të këtij komisioni dhe ministres Haxhiu, i cili po ashtu ka bërë edhe shkelje procedurale dhe kundër-ligjore gjatë tërë kohës deri sa është marrë vendimi në fjalë”.
“Ky vendim është ndërmarrë me supozime dhe pretendime krejtësisht të pabazuara dhe ai në thelb përbënë një ndërhyrje arbitrare dhe ilegale të ministres ndaj agjencisë të cilën e kemi ndërtuar me ndihmën e vazhdueshme nga qeveria e SHBA-së, e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që nga fillimi (viti 2011) dhe e kemi forcuar dhe profesionalizuar punën e saj vazhdimisht, e deri më sot, për zbatimin e vendimeve të gjykatave të Kosovës në betejën kundër krimit të organizuar në vendin tonë dhe në rajon”, ka thënë Rama.