Franca detyron platformat online t’i fshijnë përmbajtjet e papranueshme për 1 orë ose gjobiten rëndë
Franca ka miratuar një ligj të ri, i cili do t’i detyrojë gjigantët teknologjikë të fshijnë materiale të ndërlidhura me terrorizmin dhe pedofilinë nga faqet e tyre për më pak se një orë ose të përballen me gjoba që mund të shkojnë deri në 4 për qind të të hyrave vjetore, ka raportuar “Reuters”.
Sipas këtij ligji, i cili ka formuar edhe një zyrë qeveritare për monitorimin e gjuhës së urrejtjes, si dhe ka caktuar një prokuror special për t’i ndjekur shkelësit, platformat do të kenë 24 orë kohë për të pastruar format tjera të përmbajtjes së ndaluar para se të rrezikojnë të gjobiten masivisht. Ai gjithashtu themelon një proces që autoritetet franceze të auditojnë sistemet e moderimit të përmbajtjes, sipas “Wall Street Journal”-it, transmeton “Zeri.info”.
Sipas “Reuters”-it, ministrja franceze e Drejtësisë, Nicole Belloubet, tha se beson që “njerëzit do të mendojnë dy herë para se të kalojnë vijën e kuqe nëse e dinë se gjasat janë shumë të mëdha që do të jenë përgjegjës për to”.
Një grup francez për liritë civile, “La Quadrature du Net”, ka kundërshtuar rregullat e reja, duke i cilësuar ato si standard jorealistik.
“Nëse faqja nuk e censuron përmbajtjen (për shembull, sepse ankesa ka shkuar gjatë fundjavës ose gjatë natës), atëherë policia mund t’i detyrojë ofruesit e shërbimeve të internetit ta bllokojnë faqen kudo në Francë”, tha grupi për “Reuters”-in.
“Facebook”-u kohë më parë njoftoi se do të lansojë një mjet, që do të identifikojë dhe do t’i fshijë fotografitë urrejtëse dhe tha në një raport të fundit se tani ka hequr 88,8 për qind të gjuhës së urrejtjes përmes sistemeve të automatizuara në çerekun e parë të vitit 2020, një rritje kjo nga 80,2 për qind në çerekun e kaluar.
Shefja e marrëdhënieve me publikun e “Twitter”-it në Francë, Audrey Herblin-Stoop, i tha “Reuters”-it se kompania po zbaton mjete të inteligjencës artificiale, duke shtuar se një nga dy postimet që moderatorët e “Twitter”-it i fshijnë raportohet nga këto mjete, që shënon rritje nga viti 2018 kur raporti ishte një me pesë.
Edhe Gjermania në vitin 2018 kishte miratuar një ligj të ngjashëm, që rezultoi me gjobë ndaj “Facebook”-ut prej 2.16 milionë funtesh.