Një çështje e nxehtë: Si të rinisë dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës?
Është përgjegjësi e BE-së t’i normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë për periudhë afatgjatë. Rrjedhimisht, blloku do të duhej të përcaktonte parimet dhe ta drejtonte dialogun mes dy vendeve
Samiti i Ballkanit Perëndimor i mbajtur më 6 maj në Zagreb ishte menduar të ishte edhe një ngjarje e rëndësishme për rajonin. Ai e pasoi samitin e Sofjes më 2018, i cili ripotencoi përkushtimet e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor dhe vendimin e Këshillit Evropian në mars të vitit 2020 për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Pandemia mund t’ia ketë marrë shkëlqimin sfidave tjera në Samitin e Zagrebit, por është ende një çështje e nxehtë në rajon të cilën BE-ja duhet ta adresojë – një çështje që u diskutua shkurtimisht në video-konferencën që e zëvendësoi takimin kokë-më-kokë.
Si pasojë e presioneve të jashtme nga emisari amerikan, Richard Grenell, ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë përfitoi momentum. Me këtë në mendje, ekziston nevoja urgjente për të rinisur dialogun e drejtuar nga Brukseli mes dy vendeve, pavarësisht faktit se palët ende s’janë pajtuar për parimet e tij kryesore. Ajo që është e qartë është se do të jetë i pamundur kthimi në normalitet – edhe sa i përket qasjes së arritjes së një marrëveshjeje në prapaskenë e edhe sa i përket rolin që BE-ja e ka luajtur deri para pak kohe. Nën drejtimin e ish-Shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian nuk ishte në gjendje të bindte një shumicë të vendeve anëtare të pranonin strategjinë e tij për t'u marrë me shkëmbimin e propozuar të tokave. Organizata ka armiqësuar shumicën e kosovarëve duke dështuar në ofrimin e liberalizimit të vizave për ta – dhe nuk ka reaguar kur presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, kishte ofenduar BE-në dhe kishte lavdëruar Kinën, Rusinë apo SHBA-në (varësisht nga situata).
BE-ja mund ta thyejë bllokadën e dialogut vetëm nëse ndërmerr një kurs të ri veprimi, të tillë që shkon paralelisht me shtigjet teknike dhe politike. Kjo qasje duhet të përfshijë parlamentet dhe qytetarët si në Serbi ashtu edhe në Kosovë; hisedarët tjerë në rajon si Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore; shtetet anëtare të BE-së që kanë investuar në rajon – siç janë Gjermania dhe Franca, bashkë me Italinë, Kroacinë, Bullgarinë dhe Greqinë – si dhe SHBA-në dhe OKB-në. Dhe në fund, është përgjegjësia e BE-së për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbinë në afatgjatë. Rrjedhimisht, BE-ja duhet t’i caktojë parimet e dialogut.
Për Kosovën, paqëndrueshmëria aktuale politike bie në duart e gardës së vjetër me parti të ish-guerilëve si Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike – me Grenellin dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçin që po e udhëheqin përpjekjen për të zëvendësuar qeverinë, e cila drejtohet nga kryeministri Albin Kurti. Kosova duket e ngujuar mes një elite anti-BE dhe një popullate që e konsideron Kurtin si një lider të pakorruptuar dhe pro-BE i cili në mënyrë jolegjitime po hiqet nga posti. Nëse Thaçi ia del, dhe e formon një qeveri në qershor detyra e parë e së cilës është nënshkrimi i një marrëveshjeje me Serbinë nën kujdesin e Grenellit në SHBA, BE-ja do të detyrohet të pajtohet dhe ta zbatojë marrëveshjen – pavarësisht kushteve të saj.
Ky do të ishte një start i vështirë për misionin ambicioz që BE-ja ia ka caktuar Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajçak, duke nxitur reagim të ashpër nga Gjermania dhe shtetet tjera anëtare, ndërsa rrezikon rolin e Forcës së Kosovës. Do të mund të krijonte paqëndrueshmëri të thellë në Kosovë dhe rajon, duke çuar shumicën e kosovarëve – që mbështesin Qeverinë Kurti – në rrugë dhe, ndoshta, edhe në dhunë. Në këtë skenar, BE-së do t’i duhet të gjejë mënyra për ta kufizuar ndikimin e Thaçit për çështjet ndërkombëtare. Prania e BE-së në Kosovë është reale: gjysma e buxhetit të vendit vjen nga blloku.
Për të shmangur një paqëndrueshmëri të tillë, BE-ja duhet ta vazhdojë mbështetjen e saj për rajonin në luftën kundër efekte të COVID-19 dhe të sigurojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Vetëm atëherë blloku do të mund të tentonte të bindte klasën politike kosovare që të rinisin dialogun. Në sytë e shumë kosovarëve, situata nuk është lehtësuar fare me deklaratën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, pak para nisjes së Samitit të Zagrebit, ku ai tha se nuk e kundërshton ndryshimin e kufijve nëse për këtë pajtohen të dyja palët.
Për Serbinë, krejt e kundërta, kriza me COVID-19 e ka ndihmuar Vuçiqin të konsolidojë pushtetin e tij. Strategjia e tij për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të jetë vonuar paksa si pasojë e koronavirusit, por në esencë mbetet e pandryshuar. Me zgjedhjet e planifikuara për 21 qershor, afati kohor politik serb pothuajse pasqyron atë në Kosovë. Në ndërkohë, opozita serbe ka bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve, dhe nuk ka qëndrim të unifikuar apo kuptimplotë për sa i përket qëndrimit për dialogun. Kampanja njollosëse kundër opozitës po shtohen vazhdimisht në mediat e kontrolluara nga qeveria. Madje, edhe opozitarizmi kundër Vuçiqit brenda partisë ka qenë i vogël që para nisjes së krizës me koronavirusin.
Vuçiqi me gjasë është një prej pak politikanëve në Evropë që mund të mendojë në periudhë afatgjate, si pasojë e natyrës së pakontestuar të pushtetit të tij. Për pasojë, ai me gjasë e ka kalkuluar se negocimi rreth Kosovës i sjell përfitime Serbisë, pavarësisht rezultatit: negociatat e mbajnë Serbinë ‘në tabelën e shahut’ dhe e shfaqin mosfunksionimin relativ politik të Kosovës. Për Beogradin, marrëveshja për shkëmbim territoresh do të kishte shtrirje më të vogël gjeografike sesa Asociacioni i mëhershëm i propozuar i komunave serbe, por do të krijonte lidhje më të thella në integrimin e Serbisë me Kosovën veriore. Të drejtat e veçanta dhe mbrojtja e vendeve religjioze duhet të jetë një element tjetër kryesor i çdo marrëveshjeje. Megjithatë, meqë ndryshimi i kufijve nuk është parakusht i Serbisë për bisedime, Brukseli duhet ta heqë këtë opsion nga tavolina.
Mali i Zi dhe Maqedonia veriore janë kundër një ndryshimi të tillë, sepse frikësohen se mund të ngjallë trazira në mesin e pakicave të tyre etnike shqiptare. Bosnja dhe Hercegovina ka po të njëjtën brengë mbi efektin ndaj pakicës së saj serbe. Ndryshimi i kufijve është një ëndërr e kthyer në realitet për të gjithë ata që besojnë në territore etnike, një ide kjo që kujton Ballkanin e viteve të ’90-ta. Por kjo do të kishte pasoja direkte dhe të hidhura për unitetin e BE-së dhe për kapacitetin e tij për të vepruar në rajon.
Për dallim nga SHBA-ja, e cila dëshiron të aranzhojnë shpejtë një zgjidhje dhe të harrojë Ballkanin, BE-ja mund të ofrojë një perspektivë afatgjatë për Serbinë – ekonomikisht, politikisht dhe në aspektin social. Rrjedhimisht, emërimi i Lajçakut si emisar për Ballkanin Perëndimor është një hap i madh drejt rinisjes së dialogut sipas kushteve të BE-së; është po ashtu një shenjë e përkushtimit ndaj një qasjeje proaktive, dhe një kurs koherent veprimi në rajon. Në këtë, BE-ja duhet të caktojë tri parime kryesore: dialogu duhet ta ketë si qëllim përfundimtar njohjen e Kosovës nga Serbia; duhet të prodhojë një zgjidhje të cilën popullata në të dy vendeve e pranon dhe nuk arrihet prapa dyerve të mbyllura; dhe do të duhej të ofronte një perspektivë të BE-së edhe për Serbinë edhe për Kosovën.
Është qenësore që Lajçaku të nis punën duke e pozicionuar veten si kampion i liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të asistencës ekonomike post-koronavirus në rajon. Mes kohës së tashme dhe Samitit të Parisit të cilin presidenti francez, Emmanuel Macron, planifikon ta mbajë pas përfundimit të izolimit, Lajçaku ka kohë t’i përgatis këta hapat e radhës. Në situatën aktuale duhet një qasje më e kujdesshme – por koha është e çmueshme, pasi që Washingtoni sipas të gjitha gjasave do t’i shtyjë përpara planet e tij për Kosovën dhe Serbinë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, rrjedhimisht duke rrezikuar stabilitetin rajonal në fqinjësinë juglindore të BE-së.
Vessela Tcherneva është zëvendësdrejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe kryetare e Zyrës në Sofje