Mustafa: Jeta dhe veprat e Fehmi Aganit, udhërrëfyes për breza të terë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka kujtuar heroin e vendit, Fehmi Agani, në 21-vjetorin e rënies së tij.

Përmes një komunikate Mustafa e ka quajtur Aganin si figurë emblematike të LDK-së dhe si njërin ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, përcjell “Zëri.info”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sot kujton intelektualin, vizionarin dhe burrështetasin e madh të Kosovës, që jetën ia kushtoi lëvizjes për liri dhe pavarësi. Agani ishte figura emblematike e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Kreu i LDK-së ka lartësuar jetën e veprat e tij, për të cilat thotë se do të mbeten si udhërrëfyes për breza të terë.

“Ai i takonte plejadës së politikanëve që në kohët e vështira nën regjimin serb e kishin të qartë rrugëtimin e tyre politik në shtetformimin e Kosovës. Vrasja e tij nuk ishte e rastësishme, ngase veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale ishte halë në sy për pushtuesin serb. Njerëzit si Fehmi Agani ndoshta ikin shpejt, por veprat që lënë pas mbeten udhërrëfyes për breza të tërë”, u shpreh Mustafa.

Ndër të tjera, ai ka cituar po ashtu fjalët e ish-presidentit Rugova për Fehmi Aganin.

“Ashtu siç thoshte presidenti Rugova: ‘Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe me figurën e tij’, ashtu ndihemi edhe ne për personalitetin e jashtëzakonshëm të Fehmi Aganit. Vepra e tij është trashëgimi dhe vlerë e pakontestueshme e Kosovës dhe e LDK-së në veçanti. Rruga intelektuale dhe politike e nisur nga Agani mbetet misioni ynë për t’i kultivuar vlerat demokratike dhe shtetformuese”, është shprehur Mustafa.

Sot, më datën 6 maj, janë bërë 21 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Agani. Agani u vra nga forcat serbe. /Zëri/