Futboll pa program

Koronavirusi ka pezulluar futbollin në Kosovë, derisa ende nuk ka ndonjë datë zyrtare për rinisjen e edicionit aktual. Është raportuar se qershori mund të jetë muaji i rikthimit të futbollit kosovar, teksa pasojat e kësaj pauze do të jenë të pashmangshme. Trajnerët Bekim Isufi dhe Besnik Kollari si dhe njohësi i futbollit vendor, Arben Zeqiri kanë analizuar situatën e krijuar me pandemi

Meriton Bytyqi
 
Pandemia COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus ka paralizuar futbollin në Kosovë prej muajit mars, derisa ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur mund të rinisë edicioni i mbetur në gjysmë.

Ishim dëshmitarë të një edicioni të 'zjarrtë' me skuadrat si Ballkani, Drita, Gjilani e FC Prishtina që po luftonin me 'mish e me shpirt' për titullin e kampionit, raporton Zëri.info.

Megjithatë, pandemia COVID-19 e cila ka kapluar botën, u shpërnda edhe në vendin tonë, teksa Qeveria e Kosovës mori vendim që të pezullohen aktivitetet sportive deri në një njoftim të ri.

Është përfolur shumë që edicioni aktual të rinisë në muajin qershor, ashtu sikurse edhe në disa vende tjera në Evropë, teksa skuadrat mund të rikthehen në stërvitje këtë muaj për të zhvilluar një mini-fazë përgatitore.

Federatës së Futbollit të Kosovës i është dhënë afat deri në muajin korrik ta mbyllë edicionin aktual, derisa kjo verë do të jetë mjaft e ngjeshur për disa nga futbollistët që luajnë në Kosovë.

Kjo për shkak se tri skuadra kosovare kualifikohen në garat evropiane këtë edicion, andaj futbollistët e tyre nuk do të kenë fare pushim.

Por, sa janë të përgatitura skuadrat kosovare për një verë të ngjeshur dhe a kanë planprograme specifike për situata të tilla?

Zëri.info ka kontaktuar me trajnerin e mirënjohur kosovar, Bekim Isufi, trajnerin e Kosovës U-17 si dhe me ish-futbollistin dhe njohësin e futbollit vendor, Arben Zeqiri.

Isufi: Vështirë që trajnerët ta kenë ndonjë planprogram

Njëri prej trajnerëve më të njohur në futbollin e Kosovës është Bekim Isufi, njeriu që e shpalli kampion Dritën e Gjilanit.

Isufi, i cili që prej largimit nga Ferizaj është i papunë, ka folur në lidhje me planprogramet e skuadrave kosovare të futbollit pas pandemisë.

Në një bisedë me Zëri.info, Isufi ka thënë se është e vështirë që trajnerët të kenë planprograme, pasi që ende nuk dihet data e rinisjes së edicionit.

"Unë mendoj se është e vështirë të kenë ndonjë planprogram sepse nuk dihet se a do të kenë mundësi dhe kohë skuadrat për t'u përgatitur. Është një gjendje e jashtëzakonshme të cilën nuk e ka pritur askush", tha Isufi për Zëri.info, duke folur më pas edhe për verën e ngjeshur që i pret skuadrat kosovare që kualifikohen në Evropë.

"E gjitha varet nga situata dhe është e vështirë për trajnerët të bëjnë planifiikime, kjo për shkak se nuk ka data për asgjë tani për tani", përfundoi Bekim Isufi.

Kollari i parashikon vështirësitë

Situatën në fjalë e ka komentuar edhe trajneri i mirënjohur dhe përzgjedhësi i Kosovës U-17, Besnik Kollari.

Kollari ka thënë se kjo situatë nuk është parashikuar, derisa thotë se ende nuk dihet se si do të përballohet kjo situatë.

"Kjo gjendje e jashtëzakonshme nuk është parashikuar dhe normalisht se do të jetë më e vështirë të rinisë edicioni. Do të ketë ndeshje shumë shpesh, teksa edhe pauza ka lënë pasoja, dhe jo vetëm në futboll", u shpreh Kollari për Zëri.info.

"Do të ishte mirë që trajnerët të ftojnë sa më shumë futbollistë për të bërë rotacione në formacion. Nuk do të jetë e lehtë, por varet se sa do të jetë edhe kjo periudha e përgatitjes para rikthimit të futbollit", theksoi Besnik Kollari të hënën.

Zeqiri: E kam parashikuar rikthimin e futbollit, stërvitjet të nisin në grupe të vogla 

Ish-futbollisti i mirënjohur gjilanas dhe njohës i zhvillimeve në futbollin vendor, Arben Zeqiri thotë se e kishte parashikuar rikthimin e futbollit para tre javësh për në fillim të muajit qershor.

Në një bisedë me Zëri.info, Zeqiri thotë se të gjithë skenarët janë menduar dhe sipas tij, klubet në koordinim me IKSHP-në duhet t'i testojnë anëtarët e tyre.

"Para tre javësh, e kam parashikuar se futbolli do të rikthehet në fund të majit, eventualisht në fillim të muajit qershor. Klubet duke qenë që kanë kaluar në këtë situatë, janë përgatitur për të gjithë skenarët, gjithashtu edhe trajnerët me modifikimet në planprogramet e tyre, për t'iu përshtatur rrethanave aktuale. Të gjitha klubet do të duhej që në koordinim me IKSHP-në të testojnë anëtarët dhe të dezinfektojnë ambientet e punës", u shpreh Arben Zeqiri për Zëri.info, duke thënë se stërvitjet duhet të vazhdojnë në grupe të vogla.

"Mendoj se që për fillim, si masë evituese do të duhej që stërvitjet të nisin në grupe të vogla, dhe pas dy javësh, e gjithë skuadra në mënyrë që të kenë kujdes të shtuar ndaj virusit. I gjithë stafi më pas duhet të ri-testohet e rreth mesit të muajit maj, të nisin stërvitjet pas rezultateve. Ndeshjet do të luhen pa tifozë", tregon më tej Zeqiri.

Tutje, ai thotë se menaxhimi i kësaj situate nuk do të jetë aspak i lehtë, por që klubet duhet t'i respektojnë datat e ofruara nga FFK-ja në bashkëpunim me UEFA-n.

"Nuk do të jetë lehtë për asnjëren prej skuadrave menaxhimi i kësaj situate duke qenë se vendoset gara për titull dhe pjesëmarrja në garat evropiane, si dhe lufta për ekzistencë. FFK-ja tashmë ka ofruarat datat e rinisjes dhe përfundimit të kampionatit, andaj duhet të respektohen. Pres që FFK-ja të ketë komunikim edhe me IKSHP-në dhe klubet për të menaxhuar me sukses këtë situatë të vështirë", përfundoi Zeqiri. /Zëri.info