"Facebook"-u lanson dy "emoji" për solidarizim gjatë pandemisë
"Facebook"-u ka lansuar dy "emoji" të rinj për të shprehur solidarizim dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit në këtë kohë të pandemisë. Aktualisht, kompania është duke i lansuar ato në "Facebook" dhe "Messenger" në mbarë botën.
Alexandru Voica, një nga shefat ekzekutivë të "Facebook"-ut, e ka bërë publik lajmin përmes "Twitter"-it, duke thënë se “kjo është një mënyrë për njerëzit që të shprehin mbështetjen e tyre ndaj njëri-tjetrit gjatë kësaj kohe të paprecedentë”, raporton "Zeri.info".
Dhe me termin “kohë e paprecedent” Voica nënkupton COVID-19 dhe karantinën.
Një "emoji" duket si një fytyrë që buzëqesh dhe me duar shtrëngon një zemër, ndërsa tjetri është një zemër e vjollcë me pak ngjyrë të kuqe. Ato janë emërtuar si përqafime virtuale.
Po si t’u qaseni këtyre emojive të rinj?
- Gjejeni një postim në "Facebook", ku dëshironi të reagoni me një përqafim.
- Mbajeni të shtypur butonin ‘Like’ (Pëlqej) nën atë postim.
- Do t’ju shfaqen gjashtë opsione, të cilat paraqesin emocione të ndryshme.
- Vendoseni kursorin tek figura që duket si një fytyrë që buzëqesh duke përqafuar një zemër, ose te zemra vjollcë.
Nëse këto "emoji" nuk janë shfaqur ende në llogarinë tuaj, mos u brengosni, sepse janë duke ardhur. Megjithatë, nuk dihet se për sa kohë.