Çka zbuloi dokumenti ‘sekret’ prej 25 faqeve lidhur me koronavirusin, çfarë e lidh atë me Rusinë e Kinën?

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian kanë identifikuar një “konvergjencë të dezinformimit” midis Kinës, Iranit dhe Rusisë lidhur me pandeminë e koronavirusit.

Ata thonë se ato po “shumëfishohen” në një mënyrë të koordinuar, sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Dokumenti, i cili është i datës 20 prill, thotë se temat e zakonshme të dezinformimit janë se koronavirusi është një armë biologjike e krijuar në Shtetet e Bashkuara për të mposhtur kundërshtarët si dhe informacionet që tregojnë se Kina, Irani dhe Rusia “kanë më shumë sukses se Perëndimi” në luftimin e epidemisë.

Dokumenti gjithashtu thotë se udhëheqësit iranianë – të përforcuar nga mediat ruse – vazhdojnë të bëjnë thirrje për heqjen e sanksioneve amerikane kundër Iranit, duke pretenduar se ato po dëmtojnë përgjigjen humanitare dhe mjekësore të vendit ndaj COVID-19.

I njëjti dokument potencon se kjo është pjesë e një “konvergjence” më të gjerë ruse, iraniane dhe kineze që bën thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Iranit, Sirisë dhe Venezuelës.

Të gjitha vendet janë përballur me rritje të sanksioneve ekonomike të SHBA-së nën udhëheqjen e presidentit, Donald Trump.

Në rastin e Sirisë, dezinformimi përdoret “për të përforcuar një retorikë anti-BE, që pretendon se blloku po kryen një” luftë ekonomike” ndaj këtij vendi të Lindjes së Mesme.

Dokumenti prej 25 faqesh është shkruar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS).

Ky është një përditësim i një raporti të muajit prill që pretendon se Rusia dhe Kina po vendosin një fushatë dezinformimi rreth pandemisë së koronavirusit që mund të ketë “pasoja të dëmshme” për shëndetin publik në të gjithë botën.

Në një raport të muajit mars, vëzhguesit e BE-së akuzuan mediat pro-Kremlin për përhapjen aktive të dezinformatave për epideminë, në përpjekje për të “minuar besimin e publikut” në vendet perëndimore, shkruan REL.

Raporti i ri thotë se Rusia dhe në një masë më të vogël Kina, vazhdojnë të fuqizojnë “retorikën e komplotit” që synojnë të dy audiencat publike: në BE dhe më gjerë, në vendet fqinje të saj.

Dokumenti vëren se burimet zyrtare ruse dhe media shtetërore vazhdojnë të bëjnë një fushatë të koordinuar që synojnë dëmtimin e BE-së përfshirë reagimin e saj ndaj krizave, si dhe për të mbjellë konfuzion në lidhje me ndikimet shëndetësore të COVID-19.

Dokumenti gjithashtu thotë se shumica e përmbajtjeve të identifikuara nga EEAS vazhdojnë të shpërndahen në mediat sociale si Twitter dhe Facebook.

Dokumenti pretendon se Google dhe shërbimet e tjera që ofrojnë reklama online “vazhdojnë të fitojnë para dhe stimulojnë dezinformimin duke vendosur reklama me pagesë në faqet e internetit përkatëse.”

Përfaqësuesit e këtyre kompanive nuk janë përgjigjur në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar këto pretendime.

Sipas analizës nga ekipi i monitoruesve të BE-së, dezinformatat në lidhje me virusin po përhapen në mënyrë virale në tregjet e vogla të mediave, brenda dhe jashtë BE, në të cilat gjigantët e teknologjisë “kanë një nivel më të ulët të kundër-masave”.