Që nga sot, edhe Kosova me "App Store"
Lajm i mirë për të gjithë përdoruesit e produkteve të "Apple"-s. Prej sot edhe Kosova është bërë me dyqanin e vet. Kjo do të thotë se shërbimet si Apple Music, Apple Arcade, Apple Podcasts do të jenë të disponueshme edhe në Kosovë – bashkë me pagesat dhe abonimet me kartelat bankare të Kosovës, të cilat tash do të funksionojnë.
Prej tani aplikacionet e zhvilluesve të "Apple"-s do të jenë të qasshme edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Specifikisht, "Apple" e ka zgjeruar dyqanin në 20 vende të reja, të cilat më parë ishin të “bllokuara” si rajone në "App Store".
Zhvilluesit në 20 vende të reja të botës do të munde të ngarkojnë aplikacionet e tyre në dyqanin "Apple App Store".
"Apple" kërkoi prej zhvilluesve të kyçen në llogaritë e tyre dhe të pranojnë marrëveshjen e re të licencimit, që aplikacionet e tyre të bëhen të aksesueshme në Kosovë.
Në lajmërimin e "Apple"-s, të lëshuar javë më parë, thuhej se zhvilluesit duhet të përditësojnë informacionin deri më 10 prill, duke lënë të kuptohet se nga ajo datë mund të fillonte lansimi i "App Store"-s për rajonet e reja.
Lansimi është bërë sot dhe kjo e dërgon numrin e vendeve në 155 ku "App Store" është i disponueshëm. Më poshtë gjeni listën e 20 vendeve të reja:
Afganistan
Gabon
Bregu i Fildishtë
Gjeorgji
Maldive
Serbi
Bosnje dhe Hercegovinë
Kamerun
Irak
Kosovë
Libi
Mali i Zi
Marok
Mozambik
Mjanmar
Nauru
Ruanda
Tonga
Zambia
Vanuatu. /ZERI