Kusari-Lila: Vdekja e dyfishtë, e nënës dhe e bebes së saj të palindur, ngrit alarmin për pasojat e infeksionit

Viktima e moshës 40-vjeçare, e cila ishte në javën e 28-të të shtatzënisë, ishte në përkujdesje intenzive deri në momentin e vdekjes, ndërsa fatin e njëjtë e pati edhe foshnja e saj.

Lajmin për vdekjen e gruas e ka konfirmuar Klinika Infektive e QKUK-së, ndërsa deputetja Mimoza Kusari-Lila ka shkruar edhe për vdekjen e bebes.

“Mëngjesi na erdhi me lajmin e trishtë për humbjen e jetës së gruas shtatzënë nga Gjakova si pasojë e infeksionit me #Covid19. Ngushëllime familjes dhe gjithë të njohurve të saj. Vdekja e dyfishtë e nënës dhe e bebes së saj të palindur shton pikëllimin dhe ngrit alarmin për pasojat e infeksionit” ka shkruajtur Kusari-Lila.

Kusari-Lila thekson se ky alarm duhet të na shtyjë për respektim strikt të masave parandaluese dhe marrje me seriozitet të gjitha sygjerimeve për mbrojtje dhe izolim në këtë kohë pandemie.

Ky rast e çon në 16 numrin e viktimave të koronavirusit në tërë territorin e Kosovës.

Aktualisht Kosova regjistron 598 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 123 të shëruar.