Besnik Bislimi: Kosova ka 320 mijë të punësuar, nga pandemia nuk janë prekur më shumë se 100 mijë
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka dhënë shifra për numrin e mundshëm të personave të punësuar që mund të jenë afektuar nga pandemia.
Bislimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ekonomia e Kosovës i ka 320 mijë të punësuar e që nga ta 85 mijë janë nga sektori publik.
“Nga këto të dhëna maksimumi që kanë mundur të afektohen nga pandemia janë 100 mijë. Por ne e kemi lënë edhe një lluft dhe kemi llogaritur se mund të kompensojmë 120 mijë punëtorë”, tha ai.
Ai thotë se një pjesë e punëtorëve nga sektori privat si shitja me shumicë apo pakicë kanë mundur të punojnë.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve thotë se punëtorëve që do të kompensohet paga 170 euro do t’u paguhet edhe tatimi në pagë dhe trusti.
Bislimi thotë se kanë vendosur që disa bizneseve t’ua kompensojnë edhe 50 % të qirave pasi dëshirojnë ta ndajnë barrën me sektorin privat.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve thotë se deri më tani janë regjistruar mbi 1,000 punëtorë që nuk kanë qenë të regjistruar deri më tani.