Policia indiane i detyron 10 turistë të shkruajnë 500 herë “Më vjen keq që i shkela rregullat”

Dhjetë të huaj, të cilët i kanë thyer rregullat e izolimit në një qytet të Indisë, u detyruan nga policia e këtij vendi që t’i shkruajnë 500 herë fjalët “Më vjen keq që i shkela rregullat”.

India ka vendosur masa të gjera të izolimit që nga fundi i muajit mars. Qytetarët atje kanë të drejtë të dalin nga shtëpia vetëm kur janë të detyruar të blejnë ushqim dhe ilaçe, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Personat që e morën ndëshkimin e pazakonshëm ishin nga Izraeli, Meksika, Australia dhe Austria. Ata u zunë duke ecur në qytetin Rishikesh, i cili u bë i famshëm nga grupi “The Beatles”.

Zyrtari i policisë lokale, Vinod Sharma, tha se secili prej 10 turistëve është detyruar ta shkruajë 500 herë fjalinë “Nuk i ndoqa rregullat, prandaj më vjen keq”.

Ky zyrtar tha se mbi 700 turistë të huaj nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Meksika dhe Izraeli, të cilët janë duke qëndruar në këtë zonë, i kanë shkelur rregullat e izolimit dhe se ndëshimi i çuditshëm ka për qëllim t’u japë mësim.

Policia e Indisë ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve botërore edhe në javët e kaluara. Shumë policë janë parë duke i goditur me shkopinj të gjatë druri personat që ndodheshin rrugëve, ndërsa një polic e ka vendosur në kokë një helmetë me formën e koronavirusit.