Indonezia do t’i lirojë 30 mijë të burgosur për shkak të koronavirusit

Autoritetet indoneziane pritet t’i lirojnë para kohës rreth 30 mijë të burgosur si përpjekje për ta shmangur përhapjen masive të koronavirusit në burgjet e stërmbushura.

Në një dokument të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e të Drejtave të Njeriut, të cilin e ka parë agjencia Reuters, thuhet se të drejtë përfitimi nga ky vendim kanë të burgosurit e rritur që i kanë vuajtur dy të tretat e kohëzgjatjes së dënimit, ndërsa të miturit mund të lirohen, nëse e kanë vuajtur gjysmën e dënimit.

Në bazë të të dhënave zyrtare, në Indonezi janë mbi 270 mijë persona të burgosur. Kjo shifër është dyfish më e madhe se kapaciteti zyrtar i burgjeve në tërë vendin, shkruan “The Guardian”.

Rritjen e numrit të të burgosurve e ka shkaktuar lufta e qeverisë kundër drogës. Sidoqoftë, të burgosurit nuk kanë kushte të mira sanitare dhe janë më të rrezikuar nga përhapja e sëmundjeve.

Indonezia është shteti i katërt në botë me numërin më të madh të popullsisë dhe presidenti i saj, Joko Widodo, e ka shpallur gjendjen emergjente të shëndetit publik në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Deri më tani, në Indonezi janë raportuar 1414 raste të infektimeve dhe 122 vdekje nga koronavirusi, por disa zyrtarë dhe ekspertë besojnë se numri i vogël i testimeve e ka kamufluar gjendjen e vërtetë, duke lënë të kuptohet se shifrat janë më të larta.