Sharon Stone falënderon Shqipërinë për dërgimin e mjekëve në Itali

Në kohën kur italianët po përballen me një numër të madh të infektuarish dhe mijëra të vdekurish si pasojë e COVID-19, shqiptarët u dolën në ndihmë duke nisur drejt vendit fqinj pjesëtarë të stafit mjekësor.

Ky akt i ka rënë në sy edhe aktores amerikane, e cila ka bërë një postim në InstaStory duke kujtuar kohën kur shqiptarët udhëtonin me anije drejt Italisë.

62-vjeçarja e ka shpërndarë një fotografi të afro tri dekadash më parë të një anije të mbushur me shqiptarë nga koha e eksodit të madh në vitet e nëntëdhjeta.

“Para 30 vitesh, Italia vendosi t’u ndihmonte atyre. Sot, Shqipëria dërgon mjekë dhe infermierë që t’i ndihmojnë Italisë. Faleminderit Shqipëri, me gjithë zemër”, ka shkruar Stone në mbishkrimin e fotografisë.