Nis realizimi i projektit 5-milionësh për ujësjellësin e fshatrave lindore të Istogut

Projekti ka koston prej 5 milionë eurosh dhe është marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Austrisë për kredi të ashtuquajtur “Të butë”. Projektin e zbatojnë kompanitë austriake OSTAP GMBH, si dhe “Tiroler Rohre GMBH”. Fshatrat që përfitojnë nga ky projekt janë: Shushica, Rakoshi, Zhakova, Uça, Bollopoja, Veriqi, Mojstiri, Synea, Cerkolezi, Syrigana, Kerrnina dhe Podalishta, shkruan sot gazeta Zëri.

Projekti i ujësjellësit për 12 fshatra të zonës lindore të Istogut (pjesa e Mbivadës), i cili ka filluar në vitin 2015, ka vazhduar tani me vendosjen e gur themelit të fillimit të punimeve të këtij investimi të shumëpritur dhe jetik. Komuna e Istogut përmes një komunikate ka njoftuar se ndërtimi i ujësjellësit për zonën lindore të komunës së Istogut (pjesa e Mbivadës) ka vazhduar me inaugurimin e fillimit të punimeve “Te burimi” i Istogut. Ndërtimi i këtij ujësjellësi do të furnizojë me ujë të pijshëm 12 fshatra të kësaj ane.

Kryetari i Komunës, Haki Rugova, ka thënë se projekti ka filluar në vitin 2015 dhe është bashkëpunim i Komunës së Istogut me Republikën e Kosovës dhe të Austrisë, një projekt i përbashkët, që realizohet me një të ashtuquajtur “Kredi e butë” prej 5 milionë eurosh. “E ndiej veten shumë krenar që ky projekt ka filluar, kam pasur gjithmonë besimin se do të fillojë një ditë. Është projekt jashtëzakonisht i mirë dhe me një menaxhimin të mirë do të ketë një furnizim të mirë më ujë të pijshëm për krejt territorin e komunës së Istogut, me gjithë fshatrat. Nga ky projekt komuna e Istogut do të sigurojë 24 orë ujë të pijshëm për qytetarët e saj me çdo cep. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me qeverinë austriake për projektet tjera me rëndësi, të cilat do t’i marrim në formë kreditimi, që jemi të orientuar më shumë te kanalizimet, që të zgjidhet çështja e kanalizimeve”, tha ndër të tjera kryetari Rugova.

Ndërkaq Andreas Vieler, përfaqësues kryesor i operatorit për implementimin e projektit për ndërtimin e ujësjellësit të zonës lindore, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për të cilin ka falënderuar Haki Rugovën dhe gjithë ekipin e tij. “Ne sot jemi këtu që të vejmë gur themelin e projektit dhe jam shumë i kënaqur që shoh kaq shumë qytetarë, të cilët kanë ardhur sot këtu”, është shprehur Vieler, të mërkurën, pas përurimit të fillimit të punimeve.

Projekti ka filluar te Burimi i Istogut derisa realizohet nga kompanitë austriake OSTAP GMBH, si dhe “Tiroler Rohre GMBH”.

Në anën tjetër Zyra Rajonale për Medie e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë ka dalë me një komunikatë me anë të së cilës ka sqaruar se ajo do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet financiare të energjisë elektrike për tri rezervuarët e pompimit, 600, 300 dhe 150 metra kub ujë, të cilët do të ndërtohen në kuadër të projektit për ndërtimin e ujësjellësit e ku përfitojnë fshatrat e zonës lindore të Istogut: Shushicë, Rakosh, Zhakovë, Uçë, Bollopojë, Veriq, Mojstir, Syne, Cerkolez, Syriganë, Kerrninë dhe Padalishtë.“Kanë filluar te Burimi i Istogut punimet për ndërtimin e ujësjellësit për zonën lindore të komunës së Istogut, për 12 fshatra. Nga ky projekt do të përfitojnë furnizim cilësor dhe të pandërprerë me ujë, 12 fshatra të kësaj zone, që në Istog e quajnë ‘Mbivada’. KRU ‘Hidrodrini’ do t’i mbulojë shpenzimet financiare të energjisë elektrike për tre rezervuarët e pompimit, 600, 300 dhe 150 metra kub ujë, të cilët do ndërtohen në kuadër të projektit për ndërtimin ujësjellësit e ku përfitojnë fshatrat e zonës lindore të Istogut: Shushicë, Rakosh, Zhakovë, Uçë, Bollopojë, Veriq, Mojstir, Syne, Cerkolez, Syriganë, Kerrninë dhe Padalishtë. Kompania rajonale e ujësjellësit ‘Hidrodrini’ në Pejë, pas përllogaritjeve dhe ekspertizës së specialistëve të saj, njofton se do t’i mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike për tre rezervuarët e pompimit, 600, 300 dhe 150 metra kub ujë, të cilët do të ndërtohen në kuadër të projektit për ndërtimin e ujësjellësit për zonën lindore të komunës së Istogut, nga i cili do të përfitojnë 12 fshatra të këtij rajoni të gjerë. Me këtë zotim dhe mbulueshmëri financiare të shpenzimeve të energjisë për pompa, nga KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë, konsumatorëve të fshatrave përfituese: Shushicë, Rakosh, Zhakovë, Uçë, Bollopojë, Veriq, Mojstir, Syne, Cerkolez, Syriganë, Kerrninë dhe Padalishtë do t’u mbetet të mbulojnë me pagesë vetëm faturat mujore të ujit që do ta shpenzojnë”, thuhet në një deklaratë të kryeshefit ekzekutiv të KRU “Hidrodrini”, Agron Tigani.

Sipas tij, pjesëmarrja e KRU “Hidrodrini” me ndërmarrësinë në fjalë, vjen si rezultat i mbështetjes dhe i vullnetit të mirë, të qasjes së kompanisë ndaj projektit pesëmilionësh, financim me kredi të butë pa interes, nga marrëveshja e arritur për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, kërkesë dhe përpjekje e kamotshme e institucioneve komunale të Istogut. “Vlen të theksohet se nga projekti investues në fjalë, gur themeli i të cilit u vu të mërkurën e kaluar, drejtpërdrejt do të përfitojnë rreth 8 mijë banorë (konsumatorë) të rajonit të Istogut, të cilët me përfundimin e projektit, që sipas dinamikës pritet të zgjasë një vit nga dita e fillimit të punimeve, do të kenë furnizim 24 orësh me ujë të pijshëm dhe kualitativ”, thuhet mes tjerash në komunikatën e KRU “Hidrodrini” në Pejë. /ZERI