Mjekët në kufi me maska kirurgjike diagnostikojnë udhëtarët

Mjekët e Qendrave të Mjekësisë Familjare të cilët janë vendosur në pikat kufitare për të diagnostikuar udhëtarët që vijnë nga vendet e prekura nga koronavirusi, nuk janë të mbrojtur si duhet.

Nga disa fotografi që janë shpërndarë në Facebook nga pika kufitare në Vërmicë, mjekët shihen se kanë vendosur maska kirurgjike.

Këto maska nuk kanë efekt në parandalimin e viruseve, çka i bën mjekët të jenë të rrezikuar në rast se përballen me ndonjë person të sëmurë.

Për parandalimin e marrjes së virusit ata do të duhej të përdornin masak me filtër të ajrit të cilat janë të standardizuara dhe të njohura si N95 apo FFP2 dhe FFP3.

Kujtojmë se krerët e shëndetësisë në Kosovë, ministri Dr. Arben Vitia, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Dr. Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu kanë deklaruar se janë të përgatitur me të gjitha barnat dhe materialet e nevojshme. Madje Ramadani në një intervistë për media kishte deklaruar se janë të hipermobilizuar.