Shatri: Sundimi i rendit dhe i ligjit, parakusht për kthimin e investimeve të huaja

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Çka duhet të bëjë Kosova urgjentisht dhe çka në etapë më të gjatë kohore për rikthimin e investimeve të huaja në vend?

Shatri: Problemi i parë është sundimi i rendit dhe i ligjit. Nëse kjo arrihet do të krijohet një parakusht i përgjithshëm për ardhjen e investimeve nga jashtë. Por ky nuk është i vetmi kusht. Ne duhet të krijojmë edhe rrethana të tjera lehtësuese në vend për të tërhequr investitorë të jashtëm. Në mesin e tyre është infrastruktura e ku në radhë të parë hyn infrastruktura ekonomike, energjia, rrugët, telekomunikimet e të tjera. Por ka edhe probleme të tjera, që përcillen, siç është mungesa e një strukture të caktuar profesionale të të rinjve, që u përgjigjet nevojave të ekonomisë. Pra jo vetëm një diplomë shkolle, fakulteti ose çfarëdo, por që është në pajtim me kërkesat e ekonomisë. E këso ka shumë, të cilat në një formë i kemi neglizhuar deri sot ose i kemi injoruar. /ZERI

{329205}