Shatri për synimin e qeverisë 'Kurti': Buxheti mund ta kapë shifrën 3 miliardë euro

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Duke parë gjendjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë, a ka gjasa reale të përmbushet synimi për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro?

Shatri: Aspektin e prononcimeve dhe të deklarimeve të ekonomistëve e njoh mirë, edhe mundësinë për ta manipuluar opinionin ekonomistët e kanë. Herë shfrytëzojnë shifra absolute e herë shifra relative, herë nuk i definojnë qartë se çfarë po mendojnë. Unë kam dëgjuar një deklarim që buxheti do ta kapë shifrën 3 miliardë. Por për cilin vit buxhetor bëhet fjalë, këtë nuk e kam dëgjuar. Nuk kam dëgjuar se a do të jenë të hyrat buxhetore 3 miliardë ose do të jenë shpenzimet buxhetore 3 miliardë, që është një dallim shumë i madh. Opinioni i shkretë nuk e di këtë gjë ose e di vetëm një numër i kufizuar, që i kupton këto shifra. Buxheti, pra të hyrat me draftin ekzistues të qeverisë paraprake kanë qenë të parapara diku 2 miliardë e 500 milionë euro. Deklarimi është për 3 miliardë. Unë mendoj që buxheti në 3 miliardë, pra për të hyrat buxhetore, mund të kapë shifrat qysh në vitit e ardhshëm e jo në këtë vit dhe këtë duke u bazuar vetëm në disa veprime, që pritet të ndodhin dhe që duhet të ndërmerren nga Qeveria, pra luftimi i informalitetit ekonomik, i krimit ekonomik të organizuar, i evazionit fiskal dhe i veprime të tjera, që ndërlidhen po ashtu me korrupsionin. Në bazë të këtyre katër veprimeve të dobishme për vendin shumë lehtë mund të kapet shifra e tyre buxhetore në 3 miliardë në qoftë se punojmë sinqerisht dhe me përkushtim që t’i luftojmë këto katër dukuri negative, të cilat janë aktuale në vendin tonë. Kam edhe argumente për këto. Ne e dimë që evazioni fiskal është minimum 30%. Në qoftë se është 30% në 7 miliardë do të thotë që ne po flasim për një informalitet në vlerë prej 2 miliardë. Në qoftë se kjo vlerë në dy miliardë do të formalizohet, pra pjesërisht ose vetëm 10% e informalitet zvogëlohet brenda një viti, kjo i bie që në 700 milionë brutoprodukt që ekziston në vend të tatimohet në një normë mesatare 10% dhe shohim që shifrat menjëherë lëvizin./ZERI

{329205}