Kreu i FFK-së Agim Ademi vizitoi Akademinë e Zhvillimit “Aspire”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i cili po qëndron në Katar, sot, ka vizituar Akademinë e Zhvillimit “Aspire” në Doha, ku bëhet zhvillimi i kategorive të reja.

Gjatë kësaj vizite presidenti Ademi nga nikoqirët u njoftua se në këtë akademi synohet zhvillimi i elitës së ekipit nacional dhe aktualisht në të janë të përfshirë të rinjtë dhe të rejat nga mosha 13-vjeçe. Pjesë e kësaj akademie janë të gjitha profilet dhe përveç futbollit pjesëmarrësit shkollohen dhe mësojnë gjuhët e huaja, derisa në aspektin profesional futbollistët përgatiten në aspektin fizik, teknik dhe taktik, por rëndësi e madhe i kushtohet edhe aspektit mental.

Presidenti Ademi u njoftua se në këtë akademi punojnë afërsisht 700 persona, ku trajnerët janë nga shtete të ndryshme nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika, derisa drejtori menaxhues është spanjoll. /Zëri.info