Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara – postimet e Trump ma bëjnë të pamundur punën

 

Komentet vijnë në kohën kur Departamenti amerikan i Drejtësisë po përballet me kritika të ashpra për trajtimin e një rasti që përfshin Roger Stonte – ish-këshilltarin e dënuar të presidentit.

Prokurori i përgjithshëm është akuzuar për përkulje ndaj presionit presidencial.

Komentet e Barrit tani janë një shenjë e rrallë e përplasjes me presidentin.

“Mendoj se është koha të ndalojë të postojë në Twitter për rastet penale të Departamentit të Drejtësisë”, tha Barr për ABC News.

“Unë nuk mund ta kryej punën time këtu në departament me komente të vazhdueshme që më nënvlerësojnë”, tha Barr.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha se presidenti duhet t’i dëgjojë këshillat e prokurorit Barr.

Në SHBA ka pasur zemërim këtë javë kur Departamenti i Drejtësisë ka thënë se planifikon të zvogëlojë kohën e dënimit me burg që do ta kërkojë për Stone – mik i presidentit.

Stone është shpallur fajtor në muajin nëntor për pengimin e hetimeve që ka kryer Dhoma e Përfaqësuesve rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016.

Prokurorët federalë kanë rekomanduar që Stone të përballet me shtatë deri në nëntë vjet burgim.

Trump ka shprehur menjëherë kundërshtimin e tij në Twitter, duke thënë se “kjo është një situatë e tmerrshme dhe shumë e padrejtë”.

Departamenti i Drejtësisë më pas e ka hedhur poshtë rekomandimin nga prokurorët, duke nxitur dyshime nëse Barr ka ndërhyrë në mbështetje të Stone.

Për rrjedhojë, katër prokurorë janë larguar nga puna./TCH