La komunën për postin e ministrit, Veliu: LDK pa asnjë dilemë do t’i fitojë zgjedhjet në Podujevë
Përmes një postimi në Facebook, ai ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në këtë komunë. Ka thënë se LDK e ka ofruar kandidatin e saj më të mirë, Nexhmi Rudarin. Madje ka thënë se s’ka asnjë dilemë që LDK do ta fitojë përsëri Podujevën.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Veliut në Facebook:
Të dashur qytetarë llapjanë,
Komunikimin me ju po e filloj me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes dhe falënderimit për besimin dhe mbështetjen e gjithsecilit prej jush gjatë gjithë rrugëtimit tim politik, i cili u përcoll me sfida të mëdha, por që me përkrahjen tuaj gjithmonë ia dolëm.
Kështu do të vazhdojmë edhe tash e tutje, edhe pse unë kam marrë një detyrë tjetër me vullnetin për t’i shërbyer interesit të vendit, por edhe për ta fuqizuar kontributin e Llapit në shtetndërtimin e Kosovës.
Të dashur miq,
Tashmë jemi në një situatë të re. Podujeva do të mbajë zgjedhje për kryetar të Komunës.
Ne, si degë e fuqishme dhe e organizuar mirë, ua kemi ofruar qytetarëve llapjanë kandidatin tonë më të mirë, anëtarin e Kryesisë se Degës për disa mandate dhe nënkryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin.
Nexhi, krahas përgatitjes akademike ka një përvojë të jashtëzakonshme në pushtetin qendror e lokal dhe pa asnjë dyshim do të jetë kryetar i suksesshëm i Podujevës.
Kandidimi i tij erdhi pas diskutimeve konstruktive në struktura dhe me një votim unanim të kryesisë së LDK-së në Podujevë.
Kandidati ynë pa dilemë do të jetë Kryetari i ardhshëm i Podujevës. Prandaj, ftoj të gjithë veprimtarët e LDK-së, anëtarësinë dhe simpatizantët, që në këtë proces ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin tonë për kryetar, duke e mbajtur të pamposhtur subjektin tonë politik në Llap.
Si gjithmonë do të jemi së bashku në këtë proces dhe ato që vijnë pas tij.
Na priftë e mbara!
Vazhdojmë!.