41 zyrtarë policorë të arrestuar gjatë 2019-ës

Ndonëse janë të thirrur ta mbrojnë ligjin dhe sigurinë në vend, një numër i madh i zyrtarëve policorë janë nën llupëne Departament të Hetimeve brenda Inspektoratit Policor të Kosovës. 504 ankesa ose 35% të numrit të përgjithshëm tëtyre janë proceduar në këtë drejtori për hetim, teksa pjesa tjetër, ose 65% e ankesave, janë të proceduara në Policinë e Kosovës e që kryesisht kanë të bëjnë me çështje disiplinore. Këto shifra po konsiderohen shqetësuese nga njohësit e çështjeve të sigurisë në vend. Për ta kjo situatë ndikon në humbjen e besueshmërisë të Institucionit të Policisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për t’u përmirësuar kjo gjendje, sipas tyre, është më se e nevojshme strukturimi i brendshëm i PK-së, si dhe hartimi i planeve strategjike nga qeveria e porsaformuar për sa i përket sigurisë në vend. Po ashtu të njëjtit pohuan se në Kosovë ka nevojë edhe për procesin e vetingut, i cili do ta ruante besueshmërinë e institucionit në fjalë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IKP) ka bërë të ditur për gazetën që gjatë 2019-s 41 zyrtarë policorë kanë përfunduar në pranga. Pavarësisht që ata janë të thirrur për mbrojtjen e ligjit dhe të qytetarëve, nuk i kanë ndalur shkeljet, pasi që gjatë periudhës paraprake në IPK janë dërguar 1 mijë e 439 ankesa. “Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me standardet e kërkuara. IPK-ja gjatë vitit 2019 ka pranuar dhe ka administruar gjithsej 1.439 ankesa, prej të cilave 35 informata. Statistikat për vitin 2019 janë si në vijim; 41 arrestime, 70 suspendime, 8 transferime”, është konfirmuar nga IPK-ja.

Rreth 35% e ankesave, sipas IPK-së, më pas janë transferuar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, teksa pjesa tjetër te PK-ja.

“Gjatë vitit 2019 504 ankesa, ose 35% të numrit të përgjithshëm të tyre të pranuara në IPK, janë proceduar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së. Kurse 934 sosh, ose 65% e numrit të përgjithshëm të ankesave,janë përcjellë në Policinë e Kosovës (ankesa që përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në shkelje disiplinore)”, thuhet më tutje në përgjigjet e dhëna për “Zërin” nga IPK-ja. 

Sipas IPK-së, disa nga arrestimet kanë ndodhur nën dyshimin e kryerjes së veprave të ndryshme penale.

“Inspektorati Policor i Kosovës si rezultat i proceseve hetimore dhe angazhimeve kur janë plotësuar kushtet ligjore ka arrestuar persona me dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale, duke vënë në zbatim dispozitat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si dhe ka rekomanduar masa administrative për suspendimin dhe transferimin e zyrtarëve policorë, duke vënë në zbatim dispozitat e parapara në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës”, bëhet e ditur më tutje nga ky institucion./Zëri