Sekretari i MIT kacafytet me biznesmenin për tenderin e autostradës së Gjilanit

Një përplasje e madhe ka nisur në mes të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe ministrit të ri të kësaj ministrie, Lumir Abdixhiku. Sherri kryesor është bërë tenderi i autoudhës A7 ose i njohur ndryshe si pjesa e dytë e vazhdimit të Autostradës së Gjilanit.

Sekretari Betim Reçica është duke sfiduar ministrin Lumir Abdixhiku për këtë tender. Ai nuk po pranon që të anulohet kjo procedurë tenderuese e cila është në fazën e thirrjes.

Pos arsyetimit të ministrit se thirrja është bërë kundërligjshëm, pa zotim të fondeve, tenderi në start ishte hapur duke u bërë shkelje serioze të Ligjit të Prokurimit Publik. Rrjedhimisht duke u vendosur kritere që favorizojnë kompani të caktuara. Këto shkelje i kishte vërejtur kompania “2A Group” me pronar, Valon Ademi dhe i kishte paraqitur në ministri. Ministria ka pranuar që ka bërë shkelje dhe kishte vendosur ta korrigjojë tenderin.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica ka raportuar të enjten në Policinë e Kosovës se është kërcënuar nga disa persona.

Ai ka thënë se është kërcënuar dhe fyer nëpërmjet telefonit nga pronari i kompanisë “2A Group”, Valon Ademi.

Duket se përplasja është bërë krejt për shkak të këtij tenderi. Kjo pasi, kompania “2A Group” dhe kompania “Jaha Company” të cilat kanë qenë të interesuara që të garojnë në këtë tender, duke parë dosjen e tenderit, dhe kriteret e vendosura nga ministria aty, kanë konsideruar se kriteret nuk qenë në përputhje me ligjin, andaj janë ankuar në zyrën e prokurimit.

Këto dy kompani kanë konsideruar se gati e tërë dosja e tenderit ka qenë diskriminuese ose favorizuese për kompani të caktuara. Konkretisht kanë konsideruar se janë shkelur neni 7 –Barazia në Trajtim /jo –diskriminim, neni 68 –gjendja ekonomike dhe financiare, neni 69 –aftësia teknike dhe /ose profesionale, neni 71 –grupet e operatorëve ekonomik dhe operatorët e huaj ekonomik.

Më datë 24 dhe 28 janar Ministria ka nxjerr vendim për pezullimin e procedurës së prokurimit deri në shqyrtimin e ankesave të këtyre dy kompanive.