Zelenskiy thotë se zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe në lindje të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy duke folur nga Mynihu, bëri thirrje që shtetet perëndimore ta ndihmojnë vendin e tij që të luftojë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia.

“Lufta në Ukrainë, e di, është luftë në Evropë. Së bashku me aneksimin e Krimesë, po zgjat aq sa ka zgjatur Lufta e Dytë Botërore. Dëshira jonë është që zgjedhjet lokale të mbahen në gjithë territorin e Ukrainës, përfshirë edhe rajonet e Donetskut dhe Luhankskut. E njëjta dëshirë vlen edhe për territorin e Krimesë”, tha ai.

“Njerëzit në Donbas duhet të kenë zgjedhje që njihen si legjitime nga Ukraina dhe e mbarë bota dhe ato nuk mund të jenë të tilla, nëse nuk mbahen sipas legjislacionit të Ukrainës”, tha ai.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Zelenskiy ishte takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Paris, në bisedimet e njohura si “Formati i Normandisë”. Pjesë e këtyre bisedimeve ishin Gjermania dhe Franca.

Por, bisedimet në Paris dështuan që të prodhojnë rezultate konkrete për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 13 mijë persona dhe mbi 1 milion të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL