Rudari i LDK-së mesazh kundërkandidatëve: Podujevën do ta fitoj me të parën

Këtë gjë, Rudari e bazon në faktin që LDK, asnjëherë nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje në Podujevë, dhe se sipas tij, llapjanët gjithmonë kanë ditur që ta vlersojnë qeverisjen e mirë.

“Unë jam i bindur se zgjedhjet do të fitohet qysh në raundin e parë. Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, i ka mobilizuar strukturat e veta në teren dhe do të fitojmë fuqishëm për ta korrur fitoren e radhës në Llap. Llapjanët gjithmonë kanë ditur që ta vlersojnë punën e mirë dhe qeverisjen e mirë që LDK ia ka dhënë Podujevës dhe edhe kësaj radhe do të ndodhë kështu”, është shprehur Rudari.Ai ka treguar për disa nga projektet që do t’i ketë prioritet nëse do të merr mandatin për të qeverisur me Podujevën.

Thotë se fillimi i punimeve në zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, pajisja teknike dhe funksionalizimi i plotë i Spitalit të Podujevës, vazhdimi i projektit të sheshit të qytetit, do të jenë disa nga prioritetet e tij, në më pak se gjysmë mandati që ka mbetur.

“Fillimi i punimeve në zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë. Funksionalizimi i plotë i spitalit të qytetit, do të jenë projektet që do të kenë rëndësinë më të madhe, pasi që edhe me marrëveshjen e koalicionit qendror, ne si LDK, i kemi futur këto dy gjëra di pjesë të programit qeverisës. Pastaj, do të vazhdojmë me projektet e shumta që kanë mbetur në gjysmë nga mandati i kaluar, si sheshi i qytetit dhe shumë projekte të tjera”, është zotuar Rudari.Ai është aktualisht nënkryetar i Komunës së Podujevës, dhe ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit që u mbajtën me 6 tetor të vitit të kaluar.

Rudari, për shumë vite ka mbajtur pozita të ndryshme brenda Komunës së Podujevës dhe LDK-së në këtë qytet.

Ai ka qenë edhe Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës dhe njihet si bashkpunëtor i moqëm i ish-kryetarit, Agim Veliu.Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk e ka bërë zyrtare emrin e kandidaturës së tyre, për garën zgjedhore të 15 marsit. Emri më i përfolur ka qenë ai i Saranda Bogujevcit dhe Shpejtim Bulliqit, të dy deputetë aktualë në Kuvendin e Kosovës.Po ashtu, as Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka dhënë emrin e kandidatit të tyre.

Ndërsa, AAK nuk do të marr pjesë në zgjedhjet për kryetar të Podujevës.Podujeva ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës, Agim Veliu, i cili u bë Ministër i Punëve të Brendshme, në qeverinë aktuale të udhëhequr mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga përfundimi i luftës, nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje në Podujevë, qofshin ato qendrore apo lokale.Shumicën e herave, kryetar i Komunës ishte Agim Veliu.