Frika nga virusi, bankat kineze dezinfektojnë kartëmonedhat

Bankat kineze po dezinfektojnë kartëmonedhat, si pjesë e përpjekjeve për frenimin e koronavirusit që ka marrë deri tani më shumë se 1.500 jetë njerëzish, dhe vazhdon përhapjen.

Bankat po përdorin rreze ultraviolet temperature të larta për dezinfektimin e juanëve, dhe pastaj i mbyllin këto para për shtatë deri në 14 ditë – në varësi të ashpërsisë së sëmundjes në rajonin përkatës- përpara se t`i kthejnë në qarkullim. Lajmin e pohuan drejtues të bankës qendrore të Kinës në një konferencë për shtyp, ku sqarohen gjithashtu se po bëhen përpjekje për të prerë sa më shpejt banknota të reja. Virusi, i cili ka prekur deri tani më shumë se 66,000 vetë në Kinë dhe është përhapur në më shumë se një duzinë shtetesh të tjera, ka nxitur masat për dezinfektimin e vendeve publike dhe minimizimin e kontaktit mes njerëzve.

Farmacitë në mbarë vendin kanë pasur një shtim të ndjeshëm të shitjes së dezinfektantëve dhe maskave të fytyrës, ndërsa nëpër institucione janë vendosur pranë ashensorëve janë vendosur kuti me facoleta, të cilat njerëzit inkurajohen t`i përdorin kur shtypin butonët. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, përveç piklave të shpërndara në ajër nga kollitja apo tështima dhe kontaktit me personat e infektuar, Covid-19 mund të përhapet përmes objekteve të kontaminuara.