Nagavci reagon ndaj veprimeve të avokatit Tomë Gashi

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka reaguar ndaj gjestit të Avokatit Tomë Gashi, i cili shqelmoi mbrëmë kutinë me para të një lëmosh kërkuesi në Prishtinë.

Nuk është njerëzore e as e drejtë të sillesh me përçmim dhe të ngacmosh me të varfëritë dhe më të dobëtit, ka thënë Nagavci.

Ajo thotë se, çdo kush duhet ta dijë, e sidomos ata që merren me drejtësi, se respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është i garantuar për secilin dhe duhet të respektohet nga secili.

“Zhurma e lypsarit s’do të duhej të heshtet, ajo është zhurmë që bënë thirrje për reflektim përtej saj. Republika e Kosovës ka organet, institucionet e entet që do të duhej të merreshin me secili rast dhe atë në mënyrë shumë të ndjeshme dhe asesi një qytetar të vendos vet drejtësi, kushdo qoftë ai. Është obligim i institucioneve për të krijuar kushte e mirëqenje për qytetarët, për t’u siguruar se inspektorati kryen punën e vet, se keqbërësit marrin përgjegjësi sipas ligjit e ata në nevojë mbështeten e përkrahen”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj, akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet.

“Dënoj çdo akt e sjellje që cënon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet. “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi”, Neni 1, Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut”, ka shtuar tutje ajo.