Dema: UP mbetet Universiteti me i mirë në hapësirat shqiptare

Universiteti i Prishtinës ka qenë vatër e të gjitha ndryshimeve. Ky institucion ka kontribuar edhe në formimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, në krijimin e shumë kuadrove që kontribuojnë sot ka thënë rektori i UP-së “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, në një intervistë.

Radio Kosova: Z. Rektor, sot janë mbushur 50 vjet që nga themelimi i Universitetit të Prishtinës, që konsiderohet një nga ngjarjet më madhore në historinë e Kosovës. Universiteti i Prishtinës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, si në edukimin e brezave ashtu edhe në shtet-ndërtimin e Kosovës. Cili është vlerësimi juaj për këtë institucion?

Marjan Dema: Në ketë 50 vjetor kemi organizuar shumë aktivitete, me çka kemi dashur që vërtet të tregojmë për rolin e madh që ka luajtur universiteti gjatë historisë në shumë fusha, si në emancipim, zhdukjen e analfabetizmit, promovimin dhe ruajtjen e vlerave të popullit shqiptar. Universiteti si institucion ka kontribuar edhe në formimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, në krijimin e shumë kuadrove që kontribuojnë sot,   po ashtu ka kontribuar  edhe në shumë sfera të tjera.

Radio Kosova: Universiteti i Prishtinës ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha lëvizjeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Ai ka kaluar periudha shumë të vështira nga represionit politik dhe policor serb ndaj studentëve dhe profesorëve shqiptarë si dhe ndaj studimeve në gjuhën shqipe në këtë universitet. Çfarë mund të na thoni në lidhje me ketë?

Marjan Dema: Universiteti i Prishtinës ka qenë vatër e të gjitha ndryshimeve. Gjithashtu ka qene edhe një laborator nëpër të cilin janë përgatitur kuadro si: mësues, mjekë, inxhinierë, juristë, sportistë, muzikantë etj. Ajo qa e karakterizon këtë universitet është se ka qenë universitet i sakrificës, i veprimeve dhe rrezikut, sepse studentët e këtij universiteti krahas përgatitjes së tyre në fusha të ndryshme e kanë pasur një detyrë tjetër, që t’i mbrojnë të drejtat e popullit shqiptar që ishte i shtypur e i nëpërkëmbur.

Radio Kosova: Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, Universiteti i Prishtinës ka pasur një zhvillim të madh. Çka do të kishit veçuar nga të arriturat e UP në këto 50 vite?

Marjan Dema:  Sot Universiteti i Prishtinës është duke kaluar ditët me të mira ndoshta që nga themelimi i tij. Kemi bërë avancime në shumë fusha, kemi krijuar standarde të cilat janë shumë më rëndësi dhe kemi bërë reforma shumë të mëdha. Ideja ka qene që të kalojmë nga një universitet që kanë qenë me tepër  teorik në një universitet që është i lidhur me biznesin, përkatësisht në një universitet që krijon të diplomuar që janë liderë kreativë dhe të cilët kanë ide për të ardhmen.

Radio Kosova: Ndërkohë, tani jemi në një realitet krejt të ri. Sot Universiteti i Prishtinës, ka numrin më të madh të studentëve, programe të ndryshme studimi. Si e shikoni zhvillimin e këtij universiteti, a po arrihet ajo që ju dëshironi?

Marjan Dema: Universiteti i Prishtinës edhe më tutje mbetet universiteti me i mirë në hapësirat shqipfolëse. Në ketë drejtim janë arritur edhe shumë suksese. Kemi pasur ngritje në rang listën e  universiteteve botërore. Po ashtu është rritur cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies, sepse kemi krijuar shumë zyra dhe qendra qoftë për trajnimin e mësimdhënësve qoftë për përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Radio Kosova: Meqë jemi në këtë përvjetor, të flasim edhe për sukseset e universitetit në arenën ndërkombëtare. Cilat janë disa nga këto suksese, a mund të na i përmendeni disa prej tyre?

Marjan Dema: Universiteti i Prishtinës ka bërë hapa të mëdhenj në të gjitha  fushat. Një ndër fushat me prioritet ka qene ngritja e cilësisë, akreditimi, hulumtimet shkencore, pastaj kemi bërë progres të madh në digjitalizimin  e universitetit, ku shumë shërbime të studentëve kryhen online nga çdo vendi i botës si dhe sigurimi i literaturës online.

Radio Kosova: Megjithatë, Universiteti më i madhi në vend, vazhdon të përballet me sfida. Për sa i përket infrastrukturës, mungesës së hapësirave në raport me numrin e madh të studentëve si dhe nevoja për shtimin e personelit apo stafit akademik?

Marjan Dema: Në ketë aspekt ndoshta nuk mund të lavdërohemi shumë për shkak të disa problemeve, apo barrikadave që kemi pasur në raport me marrjen e lejeve të ndërtimeve për objektet e reja. Tri vite na kanë shkuar mjetet në suficit por vitin që lamë pas kemi bërë progres, ku nga  Komuna e Prishtinës presim që të marrim leje për ndërtimin e  dy objekteve: atë të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore. Po presim që njërin fakultet ta ndërtojmë në bashkëpunim e programet  e IPA-s të  dhe tjetrin me buxhetin  e Universitetit të Prishtinës. Presim që me ndërtimin e këtyre dy universiteteve të zbutet sa dopak gjendja.

Radio Kosova: Ndërkohë, Ligji për Arsimin e Lartë është në proces të miratimit në Kuvendin e Kosovës. Ju si rektor, si e keni parë këtë, cilat janë disa çështjet kryesore që rregullohen me këtë ligj?

Marjan Dema: Për sa i përket ligjit të arsimit të lartë mund të them se për shumë dispozita ligjore që nuk varen prej nesh kemi hasur në pengesa të llojllojshme, për arsye se kriteret tona të hulumtimeve dhe avancimeve janë ngritur, ndërsa ato kanë mbetur shumë të ulëta. Prandaj po kemi problem me shumë të pakënaqur ku nga një herë baza ligjore ju mundëson diçka, por kriteret tona kanë shkuar me lart.

Radio Kosova: Ndërkohë gjatë vitit 2019 disa programe studimore janë pezulluar  në Universitetin e Prishtinës dhe për ketë pati edhe disa reagime.

Marjan Dema: Po kemi pasur disa probleme me disa programe studimore rreth akreditimit të tyre, ku Këshilli Shtetëror i Cilësisë mori vendim për pezullimin e disa programeve. Mirëpo të gjitha ato programe studimore janë kthyer dhe tani nuk kemi as një program që nuk është akredituar. Në këtë aspekt ka munguar një bashkëpunim në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Agjencisë së Akreditimit por besoj që është tejkaluar dhe në të ardhmen do të rritet bashkëpunimi.

Radio Kosova: Është folur disa herë se do të ristrukturohen programet e UP-së në përputhje me kërkesat e tregut të punës. A ka filluar të bëhet diçka në këtë drejtim?

Marjan Dema: Në këtë drejtim kemi bërë një progres shumë të madh,  ku të gjitha njësitë akademike i kanë  themeluar trupat këshillëdhënëse ku përbehen nga individë të suksesshëm qoftë në kulture, biznes, industri, në shkencë, varësisht prej fushës të cilën e studion njësia akademike. Dhe natyrisht asnjë program studimor nuk mund të ri akreditohet ose të akreditohet për herë të parë pa marrë pëlqimin e kësaj trupe këshillëdhënëse, të cilat na ndihmojmë të lidhemi më shumë me ekonominë dhe biznesin. Por njëkohësisht në ketë aspekt kemi bërë edhe hapa të tjerë ku kemi organizuar shumë takime, tryeza me biznese të fushave të ndryshme qoftë të teknologjisë së informacionit, biznesit, energjetikës, ambientit dhe fushave të tjera. Ideja ka qene që t’i dëgjojmë partnerët tanë, që në bazë të vërejtjeve të tyre t’i bëjmë ndryshimet, gjegjësit ta përshtatim programin studimor me kërkesat e tregut të punës.

Radio Kosova: Zotëri rektor, Marjan Dema, cili do të ishte mesazhi apo porosia juaj për studentët dhe profesorët në këtë përvjetor jubilar të jetës dhe rritës së Universitetit të Prishtinës?

Marjan Dema: Studentët gjatë hulumtimit të bërë kishin nxjerrë nga deklarimet e ish studentëve dhe studentëve aktualë se çka do të thotë me qenë student i Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast, do t’i përmend disa prej tyre që janë deklaruar që është përgjegjësi, privilegj, kënaqësi, integritet dhe shumë çka tjetër. Dhe unë si i pari i këtij universiteti jam shumë i lumtur dhe e ndiej si obligim jo vetëm nacional po si të shenjtë që të kontribuojmë të gjithë se bashku për ketë universitet, që jo vetëm ta paguajmë për kontributin që ka dhënë por njëkohësit t’ua lëmë një dhuratë të çmuar gjeneratave të reja.