Personi që iu iku nga stacioni policëve në Gjakovë arrestohet pas tre muajve në arrati

Policia e Kosovës më në fund ka arritur që ta arrestojë personin që ishte arratisur nga stacionin i Policisë së Kosovës në Gjakovë më 14 nëntor të vitit të kaluar. Pas saktësisht tre muajve në arrati, mbrëmë Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestojë personin që kishte mashtruar policët në këtë stacion.

Ai kishte mashtruar policët duke u thënë se ka nevojë të shkojë në tualet, ndërsa policët ia kishin hequr prangat, duke i mundësuar kështu arratisjen.

Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Lirije Podrimaj, i ka konfirmuar Gazetës Sinjali, arrestimin e personit në fjalë. Ajo ka thënë se personi në fjalë është ndaluar fillimisht, ndërsa më pas ka rezultuar të jetë person i kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Më tutje ajo ka thënë se gjatë kontrollit tek personi i dyshuar është gjetur edhe një sasi e dyshuar si narkotik.

“Me datë 14.02.2020 në ora 18:30, zyrtarët policor nga njësiti për reagim të shpejt në Gjakovë, kanë ndaluar një person i cili gjatë verifikimit në bazën e të dhënave ka rezultuar se është person i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës”. 

“Gjatë kontrollit të personit policia ka gjetur edhe një sasi të dyshuar si narkotik të llojit marihuan. Personi i dyshuar është arrestuar dhe gjendet në ndalim policor”, ka thënë Podrimaj për Gazetën Sinjali.

Si iu kishte ikur policëve nga duart?

Më 14 nëntor të vitit të kaluar personi në fjalë ishte arratisur nga stacioni i Policisë së Kosovës në Gjakovë. Ai kishte përdorur një dinakër të zakonshme për t’iu ikur policëve.

Ai kishte arritur t’i bindte zyrtarët policorë t’ia zgjidhnin duart duke i mashtruar ata se ka nevojë fiziologjike. Pasi ishte liruar nga prangat, i dyshuari kishte ikur në drejtim të panjohur.

“Ai ka vu në lajthim policët në stacion policor. Ka kërku me shku në tualet dhe gjatë kësaj kohe ju kanë hequr prangat dhe ka ikur”, kishte thënë për Gazetën Sinjali drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.