Nuhiu: Gjilanin e kemi analizuar në çdo detaj

Pas pushimit të gjatë prej më shumë se dy muajsh, këtë fundjavë do të fillojë stinori pranveror i IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Pjesa e dytë e sezonit nis menjëherë me një ndeshje të madhe.

Derbi i Anamoravës do t’i vërë të dielën përballë dy skuadrat gjilanase, Drita dhe Gjilani, takim që nis në orën 13:00. Kjo ndeshje është gjithmonë e rëndësishme, por këtë vit është edhe më e veçantë. Kjo për faktin se këtë sezon të dyja ekipet po luftojnë për titull të kampionit dhe kjo pritet të jetë një përballje që lë mbresë, shkruan Zëri.info.

Bilbili kryesor për të drejtuar derbin lokal më të madh në vend ndërmjet Gjilanit dhe Dritës i është besuar Genc Nuzës. Ai do të shoqërohet nga dy asistentët e tjerë të FIFA-s, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërkohë Visar Kastrati do jetë gjyqtar i katërt.

Momentalisht Gjilani gjendet para Dritës me një pikë më shumë, 32 në pozitën e dytë, ndërsa Drita renditet e treta.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se e kanë analizuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla. “Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla , duhet t’i mbyllim pikat kryesore të tyre dhe të gjejmë hapësirat që mund të krijohen për të dënuar kundërshtarin. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë gati për këtë ndeshje. Kemi pasur grupin e mirë shumë, tani me ardhjen e Kastriotit (Rexha), të Astritit (Fazliu) dhe të portierit Faton Malokut mendoj që jemi rritur edhe më tepër si skuadër, kemi shtuar kualitetin dhe cilësinë”, ka deklaruar para ndeshjes Ardian Nuhiu për Zëri.info.

 

Më tutje ai theksoi se këto ndeshje janë më të veçanta, sepse të dyja klubet synojnë garat evropiane. “Këto ndeshje janë të veçanta, ketë ndeshje e bën edhe më të veçantë klasifikimi… objektivi i dy skuadrave që garojnë për dalje në Evropë”, u shpreh trajneri i Dritës i ardhur nga Shkupi.

Në fund ai u shpreh optimist për fatin e këtij takimi. “Ndeshje, e cila duhet luftuar shumë, duhet të kemi grindë, të japin maksimumin të gjithë futbollistët që do të paraqiten në fushë dhe besoj se nuk do të kemi problem ta marrim më të mirën nga ndeshja”, përfundoi Ardian Nuhiu.

Ndryshe nga kampi kaltërebardh, te Gjilani kanë vendosur të mos prononcohen para ndeshjes. /Zëri.info

Ardian Cuculi shënoi golin e fitores për Dritën stinorin e kaluar