Çel pranvera në futbollin e Kosovës me derbin e zjarrtë të Anamoravës 

Pranvera në futbollin kosovar nis të shtuan dhe të dielën, me ndeshjet e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në futboll. Vëmendja kryesore do të jetë të dielën në derbin e zjarrtë të futbollit kosovar Drita – Gjilani, që luhet nga ora 13:00. I madh e i vogël në Anamoravë janë duke folur për takimin në fjalë.  Ndryshe, interesant do të jetë edhe në takimet e tjera. Kampioni vjeshtor Ballkani e nis xhiron e 18-të të shtunën. Skuadra e Ismet Munishit synon ta nisë pranverën me këmbë të mbarë dhe me një fitore ndaj Drenicës në shtëpi

 

Vigan Kastrati

 

Pas pushimit të gjatë prej më shumë se dy muajsh, këtë fundjavë do të fillojë stinori pranveror i IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Pjesa e dytë e sezonit nis menjëherë me një ndeshje të madhe.

Derbi i Anamoravës do t’i vërë të dielën përballë dy skuadrat gjilanase, Drita dhe Gjilani, takim që nis në orën 13:00. 

Kjo ndeshje është gjithmonë e rëndësishme, por këtë vit është edhe më e veçantë. Kjo për faktin se këtë sezon të dyja ekipet po luftojnë për titull të kampionit dhe kjo pritet të jetë një përballje që lë mbresë, shkruan sot gazeta Zëri.

Bilbili kryesor për të drejtuar derbin lokal më të madh në vend ndërmjet Gjilanit dhe Dritës i është besuar Genc Nuzës. Ai do të shoqërohet nga dy asistentët e tjerë të FIFA-s, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj, ndërkohë Visar Kastrati do jetë gjyqtar i katërt. Momentalisht Gjilani gjendet para Dritës me një pikë më shumë, 32 në pozitën e dytë, ndërsa Drita renditet e treta.

Kampioni vjeshtor Ballkani e nis xhiron e 18-të të shtunën. Skuadra e Ismet Munishit synon ta nisë pranverën me këmbë të mbarë dhe me një fitore ndaj Drenicës në shtëpi. Në fitore llogarit edhe Prishtina ndaj Vushtrrisë, kurse Feronikeli s’do të ketë punë të lehtë në Ferizaj.

 

Optimizëm te Drita, te Gjilani nuk prononcohen 

 

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, tha se e kanë analizuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla. “Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla , duhet t’i mbyllim pikat kryesore të tyre dhe të gjejmë hapësirat që mund të krijohen për të dënuar kundërshtarin. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë gati për këtë ndeshje. Kemi pasur grupin e mirë shumë, tani me ardhjen e Kastriotit (Rexha), të Astritit (Fazliu) dhe të portierit Faton Malokut mendoj që jemi rritur edhe më tepër si skuadër, kemi shtuar kualitetin dhe cilësinë”, ka deklaruar para ndeshjes Ardian Nuhiu për gazetën "Zëri". 

Më tutje ai theksoi se këto ndeshje janë më të veçanta, sepse të dyja klubet synojnë garat evropiane. “Këto ndeshje janë të veçanta, ketë ndeshje e bën edhe më të veçantë klasifikimi… objektivi i dy skuadrave që garojnë për dalje në Evropë”, u shpreh trajneri i Dritës i ardhur nga Shkupi. 

Në fund ai u shpreh optimist për fatin e këtij takimi. “Ndeshje, e cila duhet luftuar shumë, duhet të kemi grindë, të japin maksimumin të gjithë futbollistët që do të paraqiten në fushë dhe besoj se nuk do të kemi problem ta marrim më të mirën nga ndeshja”, përfundoi Ardian Nuhiu.

Ndryshe nga kampi kaltërebardh, te Gjilani kanë vendosur të mos prononcohen para ndeshjes. 

 

Orari

 

Java e 18-të

E shtunë 13:00 Ballkani – Drenica

E shtunë 13:00 Prishtina – Vushtrria

E shtunë 13:00 Ferizaj – Feronikeli

E diel 13:00 Drita – Gjilani

E diel 13:00 Flamurtari – Trepça ’89

E diel 13:00 Dukagjini – Llapi

 

Tabela

 

1. Ballkani 17 34

2. Gjilani 17 32

3. Drita 17 31

4. Prishtina 17 31

5. Feronikeli 17 27

6. Drenica 17 24

7. Llapi 17 24

8. Trepça ’89 17 23

9. Flamurtari 17 19

10. Ferizaj 17 18

11. Vushtrria 17 15

12. Dukagjini 17 8 /Zëri..info