Përplasjet e para në mes Kurtit dhe Vuçiqit

Në Mynih në kuadër të Konferencës për Sigurinë u zhvillua të premten një debat edhe për Ballkanin Perëndimor. Paneli i diskutimit ka qenë me dyer të mbyllura, por DW ka mësuar disa detaje nga burimet e saj.

Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk ia kanë kthyer shpinën Ballkanit Perëndimor. Ky ishte mesazhi që dhanë organizatorët e takimit për Ballkanin Perëndimor, siç merret vesh nga burime të informuara mirë. Debati i organizuar të premten në mbrëmje në Mynih ka zgjuar një interesim jashtëzakonisht të madh. Në tubim ishin organizatori i Konferencës së Mynihut Wolgang Ischinger, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, kreu i shtetit të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, të Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lideri bullgar Boiko Borisov dhe shumë personalitete të tjera. Megjithatë me shumë interes në këtë takim është pritur edhe paraqitja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili ishte për herë të parë pjesë e këtyre takimeve.

Takimi me dyer të mbyllura

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura sipas parimit “Chatam Haus”, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk kanë të drejtë të publikojnë detaje nga takimi. Megjithatë në rrjetet  sociale është publikuar një video e fjalimit të kryeministrit Kurti, i cili është deklaruar kundër idesë së tanishme të Minishengenit, duke kërkuar që kjo ide të kthehet në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurti ka paraqitur edhe tri parime për bisedime me Serbinë. I pari – s’ka marrëveshje pa dialog. I dyti – s’ka dialog me harta dhe i treti – pa presidentë rreth hartave”. Në këtë mënyrë ai kritikoi drejtpërdrejt presidentin Thaçi dhe atë Vuçiq, por edhe kryeministrin Rama, për të cilin në media u përhapën zëra, se ka qenë i përfshirë në çështjen e ndryshimit të mundshëm të kufijëve të Kosovës dhe Serbisë.

Atmosfera e nxehtë

Nga burime të DW-s është mësuar, se presidenti i Serbisë Vuçiq ishte më së shumti i shqetësuar pas pohimeve të Kurtit se “bota e ka ndihmuar Kosovën të çlirohet nga Serbia, tani duhet të ndihmojë Serbinë të çlirohet nga Kosova”, sepse ajo paraqet vetëm ngarkesë për Serbinë.

Nga burime të informuara mirë po ashtu mësohet, se Vuçiq i ka kundërshtuar këto pohime me fjalët se “Kosova ende është pjesë e Serbisë sipas Rezolutës 1244 dhe se Kosovën ende nuk e kanë njohur gjysma e shteteve anëtare të OKB dhe më shumë se gjysma e popullatës botërore”.

Kurti ishte në këtë takim i vetmi, i cili ka kërkuar që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian njëkohësisht. “Nëse një apo dy shtete hyjnë para tjerave në BE, do të ketë edhe më shumë probleme”, tha Kurti i cili ka kundërshtuar idenë e Minishengenit dhe shtoi se vendeve të Ballkanit i duhet tani një ‘Mini-Marshall Plan’.

Mbrojtësit e Minishengenit

Vendet, të cilat kanë nisur iniciativën për Minishengen e kanë mbrojtur këtë ide, me fjalët se ajo ofron lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Përfaqësuesit e këtyre vendeve kanë pohuar se kjo ide rrjedh edhe nga Procesi i Berlinit. Mësohet se njëri prej tyre ka hedhur poshtë edhe të gjitha pohimet se ai mbron ndonjë ide për krijimin e ndonjë Jugosllavie të tretë dhe ka përdorur madje edhe fjalë si ato  – boll më këtë “bullshit”.

Një ndër temat më të trajtuara ka qenë domosdoshmëria e hapjes së një perspektive më të qartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Ka pasur dallime mes folësve për procedurat që duhen ndjekur deri në anëtarësim dhe mënyrën e anëtarësimit. Por të gjithë folësit ishin të mendimit se perspektiva e vendeve të BP për anëtarësim në BE duhet të mbahet e hapur.

Një prej folësve ka kritikuar edhe tendencat jo evropiane në Ballkan, duke sugjeruar se në Ballkan ka vende dhe shtete të cilat frenojnë dhe pengojnë këtë rrugë. Ai nuk ka emërtuar qartë se cilat vende janë këto, po megjithatë mendohet se fjala është për vendet më të afërta me Rusinë.

Nga burime të mirëinformuara marrim vesh se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar një angazhim më të fuqishëm të BE në zgjidhjen e problemeve, në radhë të parë për liberalizimin e vizave për kosovarët. BE është kritikuar për mosveprim dhe neglizhencë, ndërsa kosovarët ndjehen të mashtruar nga BE, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara. Nga BE kërkohet më shumë unitet në zgjidhjen e problemeve të ngjashme, por edhe në procesin e zgjerimit. Disa herë është përmendur edhe domosdoshmëria e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo do të jetë edhe një prej temave që do të trajtohen në takimet e ardhshme të BE në Bruksel dhe në veçanti në samitin e Zagrebit në maj./DW