Edhe policët shkelin ligjin, 41 të arrestuar për një vit
Viti 2019 nuk ka përfunduar mirë për 41 zyrtarë policorë të Kosovës. Po aq të tillë janë arrestuar përgjatë vitit paraprak, teksa edhe 70 të tjerë janë suspenduar. Zyrtarë për informim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IKP) kanë konfirmuar për “Zërin” që gjatë së njëjtës periudhë kohore janë transferuar edhe 8 policë, shkruan gazeta "Zëri".
Ndonëse janë të thirrur ta mbrojnë ligjin dhe sigurinë në vend, një numër i madh i zyrtarëve policorë janë nën llupën e Departament të Hetimeve brenda Inspektoratit Policor të Kosovës. 504 ankesa ose 35% të numrit të përgjithshëm të tyre janë proceduar në këtë drejtori për hetim, teksa pjesa tjetër, ose 65% e ankesave, janë të proceduara në Policinë e Kosovës e që kryesisht kanë të bëjnë me çështje disiplinore. Këto shifra po konsiderohen shqetësuese nga njohësit e çështjeve të sigurisë në vend. Për ta kjo situatë ndikon në humbjen e besueshmërisë të Institucionit të Policisë. Për t’u përmirësuar kjo gjendje, sipas tyre, është më se e nevojshme strukturimi i brendshëm i PK-së, si dhe hartimi i planeve strategjike nga qeveria e porsaformuar për sa i përket sigurisë në vend. Po ashtu të njëjtit pohuan se në Kosovë ka nevojë edhe për procesin e vetingut, i cili do ta ruante besueshmërinë e institucionit në fjalë.
IPK: 41 zyrtarë policorë të arrestuar
Inspektorati Policor i Kosovës (IKP) ka bërë të ditur për gazetën që gjatë 2019-s 41 zyrtarë policorë kanë përfunduar në pranga. Pavarësisht që ata janë të thirrur për mbrojtjen e ligjit dhe të qytetarëve, nuk i kanë ndalur shkeljet, pasi që gjatë periudhës paraprake në IPK janë dërguar 1 mijë e 439 ankesa. “Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me standardet e kërkuara. IPK-ja gjatë vitit 2019 ka pranuar dhe ka administruar gjithsej 1.439 ankesa, prej të cilave 35 informata. Statistikat për vitin 2019 janë si në vijim; 41 arrestime, 70 suspendime, 8 transferime”, është konfirmuar nga IPK-ja.
Rreth 35% e ankesave, sipas IPK-së, më pas janë transferuar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, teksa pjesa tjetër te PK-ja. “Gjatë vitit 2019 504 ankesa, ose 35% të numrit të përgjithshëm të tyre të pranuara në IPK, janë proceduar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së. Kurse 934 sosh, ose 65% e numrit të përgjithshëm të ankesave, janë përcjellë në Policinë e Kosovës (ankesa që përmbajnë elemente të përfshirjes së punonjësve policorë në shkelje disiplinore)”, thuhet më tutje në përgjigjet e dhëna për “Zërin” nga IPK-ja.
Sipas IPK-së, disa nga arrestimet kanë ndodhur nën dyshimin e kryerjes së veprave të ndryshme penale. “Inspektorati Policor i Kosovës si rezultat i proceseve hetimore dhe angazhimeve kur janë plotësuar kushtet ligjore ka arrestuar persona me dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale, duke vënë në zbatim dispozitat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si dhe ka rekomanduar masa administrative për suspendimin dhe transferimin e zyrtarëve policorë, duke vënë në zbatim dispozitat e parapara në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës”, bëhet e ditur më tutje nga ky institucion.
Shala: Policia në rrezik të humbjes së besueshmërisë
Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, i ka thënë gazetës se duke u bazuar në raportin zyrtar për vitin paraprak, rreth 150 zyrtarëve policorë u është ndërprerë kontrata e punës.
“Nëse bazohemi në raportin zyrtar mbi vitin 2019, IPK-ja ka ngritur mbi 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente për zyrtarë policorë, teksa sipas të dhënave nga Policia e Kosovës rreth 150 zyrtarëve policorë në Kosovë u është ndërprerë kontrata e punës gjatë kësaj periudhe. Nga numri total prej 1030 lëndëve/ankesave, 679 ankesa janë dërguar në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 351 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, ka thënë ai.
Arrestimi i zyrtarëve policorë, duke përfshirë edhe ata të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, sipas Shalës, ka dëshmuar se ka një keqmenaxhim të nivelit të lartë në PK. “Nëse merret për bazë edhe fakti që në fillim të vitit 2020 kemi policë të arrestuar e kësaj radhe nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike Rajonale, kjo po e dëshmon që kemi keqmenaxhim nga niveli i lartë policor dhe është tejet shqetësues ky fakt për besueshmërinë e Policisë së Kosovës në synimet e saj për të qenë pjesë e strukturave ndërkombëtare, siç është INTERPOL-i”, ka thënë ndër të tjera Shala.
Nevojitet ristrukturimi i brendshëm i PK-së
Analisti Drizan Shala e sheh të nevojshme që Qeveria të ndërmarrë hapa për sigurinë në vend e në veçanti për PK-në, duke mos e përjashtuar kështu edhe ristrukturimin e brendshëm të institucionit. “Është mirë që qeveria t’i shpalosë në formë të shkruar pikat orientuese për sigurinë e në veçanti për PK-në dhe kështu të rifillojë një ristrukturim të brendshëm, duke eliminuar struktura, të cilat mund të shkrihen në njësi ekzistuese dhe të mos kemi strukturë sa për të pasur strukturë për t’i akomoduar gradat e larta, që i kemi brenda PK-së”.
Në ndërkohë Shala theksoi se duhet të procedohet ligji për pensionim të parakohshëm, në mënyrë që të ulet edhe vjetërsia e moshës mesatare në PK. “Njëherësh për të ngritur efikasitetin brenda kësaj strukture është jetike që menaxhmenti i lartë politik në MPB/MAP të procedojë me ligjin për pensionim të parakohshëm dhe kështu në kuadër të PK-së të ulet vjetërsia e moshës mesatare nën 30 vjeç, e cila tani është mbi 40 vjeç.
Shala theksoi se për të ruajtur besueshmërinë dhe funksionalitetin e PK-së në rast nevoje duhet të aplikohet edhe vetingu si njëra ndër praktikat më të mira. “Por mbi gjitha, nëse nga 351 ankesa sa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK të analizohet se a kanë pasur këta zyrtarë qasje në klasifikimin e dokumentacioneve sipas ligjit në fuqi, është mirë të rifillojë procesi i lejeve të sigurisë (vetingu) dhe të gjithë zyrtarët e PK-së të hyjnë çdo tre vjet në ketë proces e jo siç është praktika deri më tani. Në këtë rast mënyrë ruhet besueshmëria dhe funksionaliteti i PK-së”, ka thënë ai./ZËRI