E kemi të nënshkruar listën esenciale të barnave, por s’ka furnizim për pacientët

Ndonëse ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pati nënshkruar listën e re esenciale të barnave, ku ishte thënë se do të futeshin barna të reja, furnizimi me to ende nuk është bërë. Nga SHSKUK-ja është thënë për gazetën se artikujt e rinj janë në procedura të prokurimit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Edhe pse më 20 shtator të vitit 2019 ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte nënshkruar listën esenciale të barnave, ku edhe u futën rreth 100 barna të reja, ende nuk ka filluar furnizimi me të gjitha produktet nga kjo listë.

Institucionet shëndetësore publike në vend vazhdojnë të mos jenë të furnizuara me gjithë materialin shpenzues e me barnat, të cilat janë të nevojshme për pacientët, këta të fundit përsëri po e mbajnë vetë barrën e sigurimit të tyre.

Duke mos dhënë shumë informata, zyra për informim në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës ka thënë për “Zërin” se ka filluar furnizimi nga lista e re esenciale për artikujt të cilët janë kontraktuar. Sipas saj, artikujt e rinj janë në procedura të prokurimit, me të cilët edhe pritet furnizimi.

Furnizimi me barna dhe me material shpenzues qe një kohë të gjatë nuk është duke i përmbushur të gjitha nevojat e pacientëve. As ministri i kaluar i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nuk arriti t’i përmbushë të gjitha nevojat e institucioneve publike shëndetësore për produkte medicionale. Drejtorë të shëndetësisë nëpër komuna i kanë thënë gazetës se furnizimi i qendrave të mjekësisë familjare gjatë vitit të kaluar ka qenë i mangët e në disa muaj nuk ka qenë as 40 për qind.

Derisa vazhdimisht ka pasur pakënaqësi sa i përket furnizimit, qeveria e re “Kurti” ka paraparë në programin e saj rritjen e buxhetit për të siguruar furnizim 100 për qind me barna nga lista esenciale e barnave dhe me material shpenzues, shkruan më tutje "Zëri".

Kërkohet furnizimi nga lista e vjetër

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se janë duke u furnizuar me listën e vjetër esenciale. Ai ka thënë se deri tani furnizimi në Klinikë ka qenë i mirë dhe shpreson që buxheti të miratohet sa më shpejt, në mënyrë që të bartet në SHSKUK. “Ne jemi duke u furnizuar me listën e vjetër. Deri tani nuk kemi pasur telashe, por tani e kam një drojë e uroj që buxheti të miratohet sa më shpejt. Kontrata për reagjentë për imunologji ka mbërritur në nivelin që duhet të fillojë me procedurat e ritenderimit e po ashtu edhe në biokimi. Në qoftë se zvarritet, atëherë kam drojën që do të vijmë në situatë që pastaj mund të kemi probleme dhe krizë me shumë parametra, për shkak se nuk do të mundë të furnizohemi me reagjentë”.

Veseli ka thënë se do ta ngrejë zërin që edhe produktet për analizat rutinore të biokimisë dhe të imunologjisë të jenë pjesë e listës esenciale. “Për analizat rutinore të biokimisë, por edhe për ato të imunologjisë unë jam ithtar dhe do të bëj presion pozitiv në kuptimin e asaj që të jenë në listën esenciale e jo jashtë listës. Unë besoj se Qeveria s’ka arsye të mos punojë që ta avancojë edhe më shumë çështjen e diagnostikës. Është vija e parë ku ndeshet pacienti dhe këtu zbulohen sëmundjet. Unë jam shumë i bindur se të gjitha shërbimet do të përfitojnë në qoftë se Diagnostika furnizohet me aparaturën më të sofistikuar”, ka potencuar ai.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajdin Thaçi, ka thënë për “Zërin” se aktualisht pacientët në këtë klinikë kanë në dispozicion shumicën e barnave.

Ai është shprehur se nuk është në dijeni sa i përket furnizimit me listën e re, por siç ka thënë pacientët aktualisht nuk blejnë asgjë, pasi me gjithçka që është nevojshme për ta klinika është e pajisur.

Furnizimi nga ish-ministri Uran Ismaili, i mangët

Drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani, ka treguar për gazetën se furnizimi i qendrave të mjekësisë familjare me barna gjatë vitit të kaluar ka qenë 58 për qind.

Sipas statistikave të dërguara për gazetën, shihet se në muajt e fundit të vitit të kaluar furnizimi në këtë komunë ka rënë. “Furnizimi nga MSH-ja që nga janari ka qenë 80%, shkurti 81%, marsi 78%, prilli 68%, maji 59%, qershori 51%, korriku 47%, gushti 35%, shtatori 26%, tetori 33%, nëntori 40%, dhjetori 38%, në total është 58% furnizimi 12-mujor nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo nga lista esenciale gjithmonë janë plotësuar produktet në mungesë nga buxheti komunal dhe asnjëherë nuk kemi mbetur pa material shpenzues dhe pa ampula esenciale”, është thënë për gazetën. "Zëri".

Ndërsa edhe Visar Shehu, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, ka thënë për gazetën se furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë i mangët. “Furnizimi me medikamente dhe me material shpenzues në Kujdesin Parësor Shëndetësor bëhet nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë vitit 2019 furnizimi ka qenë i mangët. Nga lista esenciale furnizim më të mirë kemi pasur me insulina, por jo në sasi sipas planifikimeve tona, ndërsa sa u përket barnave tabletare, që nga muaji korrik nuk jemi furnizuar fare”.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të furnizimit jo të mirë si komunë gjatë vitit 2019 kanë hapur procedurë prokuruese për furnizim në vlerë prej 120 mijë eurosh, ku 60 mijë kanë qenë për medikamente dhe 60 mijë për material shpenzues./ZËRI