Flet Thaçi për dialogun me Serbinë
Presidenti i Kosovës ka folur nga Munihu ku po merr pjesë në konferencën e Sigurisë. Nga aty i pari i vendit tha se viti që kemi lënë pas ka qenë më optimist sa i përket arritjes së një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kritika lëshoi në drejtim të BE’së siç tha ai, për sjellje jo korrekte ndaj nesh.
Presidenti Hashim Thaçi mendon se Bashkimi Europian po i hyn në hak Kosovës duke mos i liberalizuar vizat. Nga konferenca e Sigurisë në Mynih, Thaçi edhe një herë përsëriti se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të fituar lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
“Kosova ndihet e ndëshkuar dhe e mashtruar nga Bashkimi Europian për shkak të mos liberalizimit të vizave dhe kjo qasje duhet definitivisht të ndryshoj nga BE. BE duhet të sillet në mënyrë unike, të drejtë, në mënyrë meritore sepse ne nuk po kërkojmë diçka që s’na takon, nuk po kërkojmë dhuratë por i kemi implementuar të tërësi të gjitha kriteret demokratike për liberalizimin e vizave. Ky është një gabim strategjik që po e bën Bashkimi Evropian dhe në të njëjtën kohë është një qasje plotësisht e padrejtë ndaj qytetarëve të vendit dhe punës të cilën e kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për televizionin publik të Kosovës.
Ndërkohë ish-kryeministri shprehet me rezerva sa i përket arritjes së një marrëveshje finale në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Tha se dialogu duhet të mbyllet me njohje reciproke.
“Angazhimi tjetër duhet të jetë është ai rreth dialogut Kosovë-Serbi që duhet të përfundojë me njohje reciproke si dy vende të pavarura dhe sovrane. Viti i kaluar ka qenë më optimist sesa ky që është sivjet dhe që të arrihet diçka e tillë konkrete kërkohet që BE të jetë unik , që shtetet anëtare të mbështesin progresin e dialogut dhe që ky proces të jetë i koordinuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Tanimë meqenëse presidenti Trump veç e ka ngarkuar përfaqësuesin e vetë special që të merret me këtë çështje, ka shënuar hapat e parë të suksesit BE duhet të përcjellë këtë proces dhe të jetë sa më afër në mënyrë që të kemi rezultate tjera që gjatë këtij viti të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi”, shtoi ai.