Diskutimi në Mynih: Kurti e Vuçiq pritet të jenë në panel
Në Mynih të Gjermanisë, ka nisur Konferenca e Sigurisë, në të cilën po marrin pjesë krerët e më shumë se 40 vendeve të botës, liderët e shumë institucioneve, ministra dhe ekspertë.
Por, në kuadër të kësaj konference, një panel i veçantë diskutimi i kushtohet edhe Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë veç ka nisur.
Korrespondenti Bahri Cani, që po ndjek nga afër zhvillimet e Konferencës së Sigurisë në Munih, për Klan Kosova tha se kjo do të jetë kjo hera e parë që kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të ulen së bashku në një panel.
Por në panelin që ka nisur tashmë do të jenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviq, shefi i Diplomacisë Europiane Josep Borrell.
Në këtë panel nuk është e parashikuar të flasë para publikut edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndonëse edhe ai do të jetë në këtë Konferencë dhe do të ketë takime të shumta në Mynih.
Ky panel është parashikuar të zhvillohet me dyer të mbyllura.