Talenti i Prishtinës: Ndjenjë e papërshkrueshme t’i mbrosh ngjyrat e klubit bardhekaltër
Njëri nga futbollistët me të talentuar te Prishtina Qëndrim Zyba është duke i përjetuar momentet më të mira në karrierë. Ai duket se ka nisur ta fitojë besimin e trajnerit Armend Dallku dhe këtë besim e shfrytëzoi shumë mirë në sfidën e fundjavës në garat e Kupës kundër Vushtrrisë ku luajti një lojë të bukur, shkruan Zëri.info
“Vushtrria ka ekip të ri, por kjo nuk duhet të bëjë neve përshtypje, duhet respektuar kundërshtarin dhe në ndeshje të hyjmë maksimalisht të përqendruar. Në mes nesh dy skuadrave s’ka të panjohura, sidomos pas ndeshjes një javë më herët. Besoj që do të kryejmë punën tonë t’i marrim tre pikë dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt titullit kampion”, ka thënë Zyba për faqene FC Prishtina.
“Kuptohet, është ndjenjë e papërshkrueshme që si titullar t’i mbrosh ngjyrat e klubit të kryeqytetit të shtetit tonë. Por, kjo nuk mjafton, do të më duhet të luftoj sa më shumë që të jem sa më shpesh pjesë e ekipit startues, kuptohet duke e dhënë maksimumin për të kryer dhe zbatuar të gjitha detyrat që më jepen nga kryetrajner dhe shtabi teknik”, ka thënë mesfushori qendror i skuadrës, therandasi, futbollisti i dytë më ri i klubit dhe më i riu i përbërjes së nesërme, 19-vjeçari, Qëndrim Zyba. Zyba, deri tani ka zhvilluar katër ndeshje me fanellën e Prishtinës, duke debutuar në ndeshje ndërkombëtare në Europa Ligë kundër St Joseph’s, por ndeshja me Vushtrrinë për Kupë ishte e para si titullar, ndërsa nesër do të jetë e para në kampionat si titullar. /Zëri.info