Reciprocitet, pa cenuar raportet me SHBA-në

Zëvëndëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës Avdullah hoti, gjatë një interviste dhenë për gazetën "Zëri", ka folur në lidhje me raportet me ShBA-të si dhe sfidat që e presin vendin tonë në sferën ndërkombëtare.

Më poshtë lexojeni çfarë thotë Hoti:

Zëri: Kosovën e presin shumë sfida edhe në sferën ndërkombëtare, madje e kemi çështjen e dialogut me Serbinë, proces në të cilin së fundmi është angazhuar në mënyrë intensive edhe SHBA-ja. Z. Kurti ka përmendur edhe reciprocitetin si masë kundrejt Serbisë, si do të realizohet ky proces?

Hoti: Sa i përket procesit të dialogut, pra edhe taksa, edhe reciprociteti, të gjitha lidhen me çështjen e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Para së gjithash besojmë se duhet ta kthejmë dialogun në binarë, ajo që po nënkuptoj me këtë është se dialogu duhet të kalojë te Qeveria e jo të udhëhiqet nga Presidenca e Kosovës. Pra të kalohet ky proces te Qeveria, që merr mandatin nga Kuvendi për të udhëhequr me të gjitha proceset, duke përfshirë edhe dialogun. Keni parë edhe sjelljen tonë sa kemi qenë në opozitë, kur e dërguam në Gjykatë Kushtetuese çështjen e Ligjit për Dialogun, që u miratua në legjislaturën e kaluar dhe tash dëshirojmë që këtë proces ta rikthejmë në binarë, të marrim përgjegjësi si Qeveri dhe në marrëveshjen e koalicionit ne kemi një kornizë për qasjen që do të kemi karshi dialogut dhe këtyre temave që i përmendët ju. Besoj se së shpejti me dikasteret qeveritare do ta përkthejmë në masa konkrete se si mund ta zbatojmë në praktikë këtë proces. Por është e rëndësishme që ne para qytetarëve dhe para partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti, të japim mesazhin e qartë që ne jemi për dialog, nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përveçse me dialog, por dëshirojmë të trajtohemi si partner i barabartë në këtë proces dhe bashkë me BE-në dhe me SHBA-në të bëjmë një plan të detajuar dhe një qasje se si do të hyjmë në këtë proces.

Sigurisht që problemi me të cilin do të përballemi menjëherë është se si do të merremi me taksën e vendosur për mallrat që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina. Në parim ne kemi një përgjigje për këtë, reciprocitetin pra, masat reciproke, të njëjtat masa që Serbia i vendos ndaj Kosovës në çfarëdo aspekti, ta zëmë te njohja e diplomave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që diplomojnë në Universitetin e Kosovës ose te certifikatat e origjinës së mallrave, ose te vula doganore, ose te lëvizja e lirë e qytetarëve e shumë çështje të tjera, që i zbaton Serbia për Kosovën, në parim ne duhet t’i zbatojmë të njëjtat për Serbinë, por nuk dëshirojmë t’i acarojmë raportet me partnerët ndërkombëtarë. Kështu që ajo të cilën do ta kërkojmë në komunikim të ngushtë me ta është që të ulemi të dakordohemi për një plan se si t’i relaksojmë marrëdhëniet me Serbinë, si të ulemi në tryezë diskutimi me ta dhe si të shkojmë drejt marrëveshjes përfundimtare. 

Zëri: Nëse vazhdon insistimi i bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht i SHBA-së, për mosvendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, a do të duhej që qeveria “Kurti” ta stopojë këtë proces?

Hoti: Tash qëndron thënia e vjetër: “Përtej pragut të shtëpisë nuk kemi ku shkojmë”. Ne duhet ta ruajmë sovranitetin tonë, por duhet ta ruajmë sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Pa ta nuk mund ta ruajmë as sovranitetin tonë. Taksa kur është vendosur, është vendosur krye në vete, bile është bërë pazar fillimisht se a të jetë 10%, 20% ose 100%, pra ka qenë një masë e njëanshme, e pakonsultuar dhe ndoshta e paarsyetuar. Unë mendoj se hapi i parë që është dashur të bëhet dhe që ne do ta bëjmë është të komunikojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për nevojën që ka Kosova për të mbrojtur sovranitetin e vet sa u përket relacioneve me Serbinë. Pra të krijojmë një narracion ku binden partnerët tanë për presionin që duhet t'ia bëjnë Serbisë në mënyrë që ajo të bëjë progres në relacion me Kosovën, fillimisht duke respektuar marrëveshjet ekzistuese, sepse kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje e shumica prej të cilave nuk respektohen nga ana e Serbisë.