Qeveria: Jemi duke punuar rreth strategjisë për dialogun
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpeshtuar thirrjet për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe pas formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka kërkuar largimin e tarifës 100 për qind dhe kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Sipas tij, tanimë është koha që mes Kosovës dhe Serbisë të krijohen raporte normale, të cilat në fokus kanë njohjen reciproke mes dy shteteve, shkruan gazeta "Zëri".
Pavarësisht faktit se SHBA-ja në vazhdimësi është duke kërkuar heqjen e taksës dhe rifillimin e procesit të dialogut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se as nuk do ta neglizhojnë këtë proces, por as nuk do të nguten. “Nuk e neglizhojmë dialogun, nuk duhet të vonohemi për dialog, por nuk duhet as të ngutemi”, është shprehur Kurti para pak ditësh gjatë një deklarate për medie pas një vizite që pati në rajonin e Dukagjinit.
Se bisedimet me Serbinë nuk paraqesin temë urgjente ka pohuar edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili megjithatë ka thënë se Qeveria është duke punuar rreth strategjisë për dialogun. “Siç ka thënë edhe kryeministri, jemi duke punuar në strategjinë, por dialogu nuk është urgjent. Gjithashtu do kohë për kujdesin e plotë të Qeverisë për mbarëvajtjen dhe për arritjen e njohjes së dyanshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Megjithëkëtë Abazi nuk ka pranuar të japë detaje të mëtutjeshme rreth kësaj strategjie. “Nuk mund të them asgjë derisa jemi duke punuar. Unë mund të tregoj se jemi duke punuar strategjinë e dialogut, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme të njohjes së dyanshme mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shtuar ai.
SHBA-ja kohët e fundit ka intensifikuar angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Para pak muajsh presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar ambasadorin Richard Grenell si të dërguarin special të SHBA-së për negociatat Kosovë - Serbi./ZËRI