Arrestohen dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit

“Me datë 13.02.2020 ka pranuar informacione se dy të dyshuar kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar “nga neni 414 dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës “me datë 13.02.2020 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektor tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt që kanë kryer në një biznes, me lokacion në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullsi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë ryshfet në vlerë prej 50 (pesëdhjetë) euro”.

Më tej thuhet se pas pranimit të informatës, janë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore ku dhe janë siguruar provat e rastit, si monedha në vlerë prej 50€ e cila ishte në pronësi të njërit nga personat e dyshuar.

Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e NJHRKEK – Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar personave të dyshuar u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.