Kurti: Jemi të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës.

Para të pranishmëve të shumtë, rektorë të Universiteteve Publike të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe personalitete të tjera, i Kurti, tha se historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar, njofton Klan Kosova.

“Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit”.

Po ashtu, Kurti theksoi se më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.

“Historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit”.
“Kështu, më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur, vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë”.

“Sa më shumë që rritej presioni nga regjimi i atëhershëm për ndalimin e studimeve tona, aq më shumë kërkonim liri për të studiuar, e sa më shumë që studionim aq më shumë e ndjenim mungesën e lirisë. Kështu, masat e dhunshme të Qershorit të vitit 1991 për të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe do të sfidoheshin me shkollat-shtëpi, me shtëpitë-shkolla, me Universitete nëpër shtëpi ashtu siç më 1997 do të sfidohej i gjithë regjimi shtypës”.

“Në gusht të vitit 1991, Gani Bajrami kishte dërguar një letër organeve të dhunshme të Fakultetit të Makinerisë në Prishtinë, duke përfunduar me fjalët, po citoj: “Mos harroni se për fatin e një populli pa vullnetin e tij mund të vendoset me forcë vetëm për një kohë e jo edhe për gjithë ”. Bajrami ishte inxhinier i diplomuar dhe asistent. Kështu edhe ndodhi, e kështu ndodhë sepse vullneti i popullit nuk imponohe”.

“Sot kur kremtojmë 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, aq sa e kujtojmë me shumë nderim themelimin, po aq edhe rifillimin. Sepse, rifillimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1991 nuk ishte më pak i vështirë sesa ai i themelimit në vitin 1970”.

“E në këtë vit të reflektimit e festimit të Universitetit për këtë gjysmëshekulli, është mirë të kujtojmë e nderojmë një nga figurat kyçe të tij, i cili refuzoi nënshtrimin dhe imponimin e të tjerëve mbi Universitetin. Atë, i cili i dha shumë vendit e pa të cilin Universiteti nuk do të ishte i tillë. Në këtë vit, më 16 prill, profesor Ejup Statovcit do t’i shënohet 80- vjetori i lindjes, e ne si institucione e kemi për obligim që ta nderojmë figurën e tij ashtu siç ai e meriton. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta”.

“Në vitin 1997 unë isha student i Fakultetit të Elektroteknikës, njëjtë sikurse shumë studentë tjerë të cilët ishim të vetëdijshëm për padrejtësinë e kohës në të cilën po jetonim, për zërin e brendshëm që thërriste secilin nga ne për ndryshim dhe për detyrën që ndjenim ndaj vendit. Ne bëmë atë që ishim, studentin, porsi pararendësit tanë të rinj në vitin 1968, 1981 e në vitet 1989, ‘90 e ‘91”.

“Në këtë kuptim, sa herë që rikthehem tek profesorët, unë e mësoj atë që e di, se kam dalë nga Universiteti, po Universiteti nuk ka dalë asnjëherë prej meje”.

“Liria ka kuptim vetëm kur ka drejtësi. Liria pa drejtësi është robërim i llojit tjetër. Nëse deri dje padrejtësia qëndronte në mohimin e lirisë nga jashtë, sot padrejtësia qëndron në keqpërdorimin e lirisë nga brenda”.

“Pasurimi i pakicës në kurriz të shumicës, varfëria e pabarazia shoqërore, sistemi gjyqësor joefikas dhe mungesa e shanseve të barabarta i humbin kuptimin lirisë dhe krijojnë padrejtësi të vazhdueshme përbrenda nesh”.

“Kjo është sfida e shoqërisë tonë sot, sfidë të cilën Universiteti i Prishtinës duhet ta adresojë e ta përmbushë në gjysmën e dytë të shekullit të saj. Pra, nuk gaboj nëse them që teksa në gjysmën e parë të shekullit të tij, Universiteti ka përgatitur gjeneratat që i kanë shërbyer vendit për çlirim, në gjysmën e dytë, Universiteti duhet të përgatitë gjeneratat për zhvillim. Kjo është sfida jonë e përbashkët”.